Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që akuzave të opozitës për çështjen McGonigal t’i përgjigjet me anë të një postimi në Twitter. Në të, ai shprehet se opozita nuk ka qenë kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe e çekuilibruar se tani. Duke e akuzuar se po “përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme”, theksohet se “kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur”.
“Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!
Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur”.