Ligji anti-mafia e vitit 2009 vijon të zbatohet në mënyrë selektive. Dhe një nga shembujt më flagratë është rasti i ish kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha.
Pasi dha dorëheqjen nga drejtësia për të evituar përballjen me Vetingun, Petrit Fusha është marrë i pandehur nga Prokuroria e Durrësit për fshehje pasurie.
Në Durrës, Fusha vijon manovrat për t’i shpëtuar dënimit, me riekspertime nga ekspertë të tij. Fusha do ta bëjë vetë analizën financiare të pasurive të tij, ndërsa ekspertët thjeshtë do firmosin.
Nuk është çudi që Petrit Fusha t’i shpëtojë ndëshkimit, por e çuditshme është se pse SPAK nuk nis verifikimin dhe sekuestrimin e pasurisë së Fushës, ku përfshihet edhe një resort me vlerë miliona euro në periferi të Tiranës, të ndërtuar me para të pista dhe i deklaruar në vlerë disa herë më të ulët se sa vlera reale.
Petrit Fusha është dy herë subjekt i ligjit anti-mafia.
Së pari, Petrit Fusha është subjekt i ligjit anti-mafia për shkak të aktivitetit të vëllait, Sulejman Fusha në trafikun e kokainës.
Pas 15 vitesh aktivitet trafikimi kokaine në Spanjë, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal me rrjet tregu në Itali, Francë, Greqi, Qipro e Turqi, Sulejman Fusha u arrestua në vitin 2011 me emrin “Sulejman Shkalla”.
Para 9 vitesh, ai është i dënuar një herë 12 vite dhe ri- dënuar me 9 vite të tjera, si pjesë e një tjetër grupi kriminal, dhe po mbahet në burgun “Centro Pontanciario” të rajonit Villena Alicante-Spanjë.
Së dyti, Petrit Fusha është marrë i pandehur për fshehje pasurie. Në rastin e Adriatik Llallës, u zbatua ligji anti-mafia.
Edhe pse jemi para rasteve të ngjashme, madje Llalla ndryshe nga Fusha nuk kishte ndonjë familjarë trafikant kokaine, ligji nuk po zbatohet për Petrit Fushën.
Pastrim parash me resortin
Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se ish kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, ka deklaruar kontrata qiradhënie fiktive, duke futur kështu në qarkullim para të dyshimta.
Nëse i referohemi deklaratave vjetore të pasurisë, Petrit Fusha, gjatë kohës ku ka qenë prokuror dhe kryeprokuror i Tiranës, rezulton një biznesmen në kufijtë e magjistarit në shumëfishimin e parave.
Me hotelin dhe restorantin që ndërtoi me vlerë 500 mijë euro, në tokë të dhuruar dhe para pjesërisht dhuratë, Petrit Fusha dhe bashkëshortja e tij Sanije Bulku kanë fituar rreth 760 mijë euro, në harkun kohor 2004-2016. Praktikisht, Fusha, ashtu si Ilir Meta, ka ngritur një pasuri me vlerë qindra mijëra euro, pa futur dorën në xhep.
Petrit Fusha ka ndërtuar Resortin “MAI-TAI” me sipërfaqe mbi 2 mijë m2 në Farkë, në tokën që pretendon se i ka falur daja. Në vitin 2003, Fusha deklaron ndërtesë me tre kate në këtë pronë, me sipërfaqe 1117.3 m2, projektuar për hotel, por ka funksionuar si vetëm kati i parë si bar-restorant.
Truallin e ka deklaruar 8 000 000 lekë dhe ndërtesës 34 500 000 lekë pse rreth 340 mijë USD. Si burim deklaron se paratë ia ka dhënë motra dhe babai, ndërsa 13 600 000 lekë nga kredi bankare.
Në vitin 2007, Petrit Fusha deklaron se hotelit i ka shtuar edhe një pishinë dhe ambiente ndihmëse në objektin bar-restorant, me vlerë 25 000 000 lekë ose rreth 250 mijë USD. Pra, të gjithë këtë resort gjigant dhe luksoz, Fusha e deklaron rreth 60 000 000 lekë ose rreth 500 mijë euro.
Në vitin 2004, bashkëshortja e Petrit Fushës, Sanije Bulku, deklaron 4 900 000 lekë ose rreth 41 mijë euro të ardhura nga restoranti.
Në vitin 2005 deklaron 5 000 000 lekë ose rreth 42 mijë euro.
Në 2006 deklaron sërish rreth 41 mijë euro.
Në 2007, deklaron 50 mijë euro nga dhënia me qira e restorantit si paradhënie, por edhe rreth 43 mijë euro të ardhura.
Në vitet 2008-2011 deklaron 240 mijë euro nga dhënia me qira e restorantit.
Nga viti 2012 deri në vitin 2015 deklaron 216 mijë euro nga dhënia me qira e vetëm restorantit.
Në vitin 2016, deklaron 93 mijë euro të ardhura nga dhënia me qira e hotelit me 3 kate
I biri kandidat për deputet i LSI-së
Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në janar të vitit 2021, prezantoi Aldi Fushën, si kandidat për deputet në njësinë numër 2 në Tiranë.
Aldi Fusha është djali i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, i cili u largua nga drejtësia në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut, pikërisht një ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgoi rezultatet e verifikimit si dhe i kaloi barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve të KPK.