Të tjera kulisa dalin në pah rreth arrestimit të Arlind Gjokutajt, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxhaj, Drejtor në Ministrinë e Financave, dhe Alban Ruli, përmbarues gjyqësor privat.
Pas goditjes qëndrojnë njerëz të lidhur me fije interesash me Abi Bank, Bankën Kombëtare të Greqisë NBG që është blerë nga Abi Bank dhe fondin financiar “Tranzit” e ishujve Kajman, që është një tjetër tentakulë e Abi Bank.
Arlind Gjokutajt u ka zbuluar pastrimin masiv të parave nga ky kartel bankar dhe një aferë 1.2 miliardë USD, kur Gjokutaj drejtonte Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Burime për Prapaskën thanë se Gjokutaj ka informuar partenerët ndërkombëtarë për pastrim e thasëve me para të pista nga Abi Bank dhe zgjatimet e saj financiare.
Abi Bank është fuqizuar dhe zgjeruar gjatë pushtetit të Edi Ramës. Opozita e ka etiketuar Abi Bank si bankën e Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit.
Linda Rama ka qenë pjesë e bordit drejtues të Abi Bank, e vetmja bankë në Shqipëri që vjen nga parajsat fiskale. Zonja Rama ka dhënë dorëheqje, lëvizje e cila është lexuar si formale.
Po a fshihet Linda Rama dhe qeveria pas goditjes së Arlind Gjokutajt?
Pse pushteti po hesht për Gjokutajn, një nga zyrtarët më korrektë, ndërsa nuk nuk ngurroi të merrte në mbrojtje ikonën e korrupsionit Arben Ahmetajn, për pagesat korruptive të Klodian Zotos së inceneratorëve?
Po le të ndalemi tek faktet.
Jo rastësisht afera u “zbulua” nga Oltion Naumi, përmbarues privat që kërkonte nga Ilir Thana 18,869 $ që ky i kishte marrë kredi te ish Banka NBG në 2003. Naumi ekzekutonte kërkesën e Abi Bank.
Ilir Thana kishte edhe një borxh 7 milion lekë nga viti 2010 që përmbarues Naumi e kërkonte për kërkesë të kreditor Tranzit.
Oltion Naumi lajmëron motrën e tij Kristina Naumi, administratore e “Tranzit” për lëvizjet që po shihte tek përmbaruesi tjetër Alban Ruli, i cili ekzekutonte interesat e Ilir Thanës për 1.2 milion $ ndaj Ministrisë së Arlind Gjokutaj.
Kristina Naumi që drejton “ofshorin” Tranzit me pronësi Abi Bank fillon “hetimin” e rastit.
Roza Naumi me detyrë drejtore e Financës dhe Buxhetit në Ministrinë e Financave bën një Memo ku nxjerr të palarat se përse nuk duhen paguar paratë e shtetit tek Ilir Thana.
Memo shoqërohet me “dorëheqje” edhe pse pensionistja Roza Naumi kishte një vit që kishte mbushur moshën 60 vjeç.
Tre Naumët u mblodhën dhe vendosën të denoncojnë aferën 1.2 milion $.
Kristina Naumi autorizoi Brikena Hoxhën drejtoren e Abi Bank të bëjë denoncim penal për hajdutin Ilir Thana që nuk jepte dollarët që kishte borxh.
Më pas do kujdesej prokurori Tavani për aferën. Ashtu si ndodhi…tre zyrtarët u plasën në burg.
Opinioni publik u mbush me shifrën 1.2 milion $ sikur u vodhën. “Tranzit” e ishujve Kajman me tre Naumët arriti qëllimin të shmangë nga vëmendja e mediave aferën e frikshme të pronave të ish- ”Veneto Bank”. Aferë me 1.2 miliardë $.
Brikena Hoxha
sallëzuesja quhet Brikena Hoxha, drejtore e “Tranzit” dhe “Abi Bank”, shoqërisë famëkeqe “offshore” që zotërohet me pronarë nga ishujt Kajman që ka aksionet e ABI Bank.
Arlind Gjokuta, ish Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në vitet 2017-2019, u hoq menjëherë pai nisi një hetim mbi disa transferta të dyshimta që Abi Bank bënte nëpërmjet Tranzit si përfaqësuese e SGA, shoqërisë mafioze që erdhi në Shqipëri për të mbuluar skandalin me “Veneto” të falimentuar.
ABI nuk e “harroi” drejtorin Gjokuta.
Brikena Hoxha, akuzuesja e tre funksionarëve, gjeti derën e prokurorisë dhe një mundësi të artë për të vrarë me një kallëzim tre “zogj”.
Njëri prej tyre quhet Fatmir Hoxhaj, ish prokuror për 12 vjet, por që vitet e fundit kaloi në shërbim civil me qeverinë “Rama”.
Ish prokurori Hoxhaj kandidoi në 2019 për në SPAK bashkë me rivalin e tij Ndini Tavani që konkurroi në të njëjtën kohë, por ju ndërpre përkohësisht “ëndrra” nga një vendim i KPK që e shkarkoi.
Më vonë në 2021, KPA e riktheu në detyrë. Sot ëndrra e Tavanit mundi të bëhet realitet teksa arrestoi rivalin e vjetër, kolegun dhe ish prokurorin Fatmir Hoxhaj, me të cilin sipas burimeve pranë prokurisë ka dhe një çështje personale hapur.
Tropojani Hoxhaj do jetë përballë Tavanit tashmë në pozita i pandehuri përballë prokurorit.
Çështja e tre arrestimeve, përveç emrave të të arrestuarve, nuk arriti të identifikojë asnjë nga të vërtetat apo kulisat brenda saj.
Askush nuk përmendi se bëhet fjalë për një pronë disa milionë euro që gjendet në rrugicën e “Salës”, përballë shtëpisë së tij, në rrugën “M. Matohiti”.
Ish magazina e Shërbimeve qeveritare me truall 187 m2, kthyer në një lokal trendy në Tiranë që prej vitit 1992 ka kaluar një kalvar gjyqësor, nga blerësi i pronës Ilir Thana tek kthimi i pronës prej gjykatave, familjes Libohova.
Ilir Thana e bleu në 23.04.1992, magazinën në Rr.“M. Matohiti” nga AKP e asaj kohe për 103,046 lekë.
Me padi të familjes Libohova, Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr. 9150, datë 02.12.1996, vendosi të deklarojë të pavlefshme kontratën e shitjes mes Ilir Thanës dhe AKP.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1362, datë 23.05.1997, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 9150, datë 02.12.1996, me plotësimin: “Detyrohet AKP t’i kthejë Ilir Thanës 103,046 lekë të konvertuara me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit. Detyrohet Ilir Thana t’i dorëzojë Servet Libohovës magazinën objekt konflikti.”
Gjykata e Lartë, me vendimin nr.137, datë 03.02.1998, vendosi prishjen e vendimit nr.1362, datë 23.05.1997, të Gjykatës së Apelit Tiranë, vendimit nr.9150, datë 02.12.1996, të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit Tiranë, me tjetër trup gjykues.
Në rigjykim, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 16, datë 14.07.2000, vendosi: “Pranimin e padisë duke konstatuar të pavlefshme kontratën e shitjes datë 23.04.1992 lidhur midis AKP (dega Qendër) dhe blerësit Ilir Thana. Urdhërohet zgjidhja e pasojave duke kthyer palët në gjendjen e mëparshme ku objekti magazina nr.2, t’i kthehet DSHQ dhe kjo e fundit së bashku me AKP t’i kthejë blerësit Ilir Thana vlerën e objekteve të blera, magazinë dhe truall që është 103,046 Lekë të konvertuara me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit.”
Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 1399, datë 20.12.2001, vendosi për ndryshimin e vendimit nr.16, datë 14.07.2000, të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke rrëzuar padinë e paditësave të kundërpaditur familja Libohova dhe anullimin e pjesshëm të vendimit të KKK Pronave nr.135, datë 12.06.1995, që i kthen ish pronarit Iksan Libohova magazinën nr.2, së bashku me sipërfaqen e oborrit që i është shitur të paditurit kundërpaditës.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 29, datë 13.10.2003, vendosi për shfuqizimin e vendimit nr.1399, datë 20.12.2001, të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 339, datë 12.02.2004, ka vendosur për lënien në fuqi të vendimit nr.16, datë 14.07.2000 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Më datë 10.06.2009, Ilir Thana paraqiti kërkesë për rishikimin e vendimit të formës së prerë nr. 9150, datë 02.12.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimit nr.16, datë 14.07.2000 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr. 339, datë 12.02.2004 të Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë me kryesues Ardian Dvorani vendosi për “mospranimin e kërkesës” së Ilir Thanës duke i hapur përfundimisht rrugën familjes Libohova që përfaqësohej nga avokate Erinda Ballanca, të gëzojë pronën në zemër të Tiranës.
Pavarësisht këtij kalvari gjyqësor, Ilir Thana ka kërkuar edhe kthimin e vlerës së pronës duke kërkuar nga vlerësuesit dhe përmbaruesit rivlerësimin e magazinës dhe truallit me vlerë tregu jo me çmim shtetëror të bazuar në indeksin e parasë sipas Instat-it.
Në zbatim të vendimeve gjyqësore Ilir Thana, në 27.2.2015 është paguar nga Ministria e Financave me shumën 284,139 lekë si kthim vlere në kohën e ekzekutimit.
Ilir Thana nuk e pranoi vlerën e shtetit dhe pajtoi tre përmbarues të ndryshëm për të bërë ekzekutimin ndaj Minisrisë së Financave. Përmbaruese private Suela Ndreca u pajtua në dhjetor 2019.
Përmbaruesja Ndreca caktoi vlerësuesen Alma Baze, njëkohësisht edhe drejtoreshë në Ministrinë e Mjedisit, të rivlerësojë magazinën dhe truallin me çmimin e tregut. Ekzekutimi dështoi.
Ilir Thana pajtoi përmbaruesin Baftjar Nela, i cili caktoi një vlerësues tjetër për pronën. Në mars 2021, Blerim Basho vlerësues i pasurive të paluajtshme dhe përgjegjës sektori në Kadastrën e Tiranës, nxorri një vlerë 82,681,688 lekë për magazinën dhe truallin 187 m2 në Rr. Mustafa Matohiti. Përmbaruesi nuk arriti ta ekzekutojë çështjen me këtë vlerë dhe Ilir Thana kërkoi një përmbarues tjetër.
Alban Ruli, përmbaruesi i tretë, ka kërkuar ekspertim tjetër për pronën. Eksperti i caktuar Spartan Kashuta përpilon në korrik 2022 një raport vlerësues ku sipas tij, prona ka vlerën 140.220.000 lekë.
Mbi këtë vlerë të re përmbaruesi Alban Ruli ka llogaritur detyrimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ndaj Ilir Thanës në shumën 145.867.920 lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kaluar në favor të Ilir Thanës vlerën 48 milion lekë të reja. 25 milion Ilir Thana, kërkoi t`i paguhen në llogari të motrës së tij Shpresa Prifti, për t`u shmangur ndaj një borxhi 30 mije $ që ai kishte ndaj ish bankës NBG.
Në 24 dhjetor 2022, Brikena Hoxha, drejtoreshë e Abi Bank, vëren anomalinë në transfertat e kryera nga përmbaruesi Alban Ruli drejt Ilir Thanës dhe motrës së tij dhe bllokon transfertat.
Ajo lajmëron prokurorin Tavani duke denoncuar se janë kaluar vetëm 28 milion lekë të reja nga 145 milion që pretendohej.
Prokurori Tavani arrestoi Ilir Thanën në dhjetor 2022 dhe mblodhi prova për Fatmir Hoxhaj, Alban Ruli dhe Arlind Gjokutën, duke i arrestur dje me vulën e Rexhina Merlikës.
Gjyqtarja Rexhina Merlikaj vendosi t`i mbajë në burg tre të dyshuarit që janë akuzuar nga prokurori Ndini Tavani, për “Shpërdorim detyre” sipas nenit 248 të Kodit Penal.