Biznesmeni i dyshimtë Pëllumb Gjoka ka grabitur 390 dynym rërë në vijën bregdetare të Velipojës, duke fasifikuar dokumentet, me qëllim për të ndërtuar një resort.
Gjoka, i akuzuar nga opozita si trafikant, për krime zgjedhore dhe vrasje, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka arritur të falsifikojë edhe firmën e prokurores Tatjana Laçej si dhe një testament të 99-vjeçares Drane Hotaj, duke u bërë pronar i rërës në Velipojë.
Për këtë skandal është hapur një dosje penale nga prokurorja Franceskina Lekani. Prokurorja ka mbyllur dosjen pa kërkuar ndëshkimin e falsifikatorëve dhe kthimin e pronës shtetit. Lekanin duket se e ka futur në ‘thes’ Pëllumb Gjoka.
Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që ka grabituar në bashkëpunim pronën publike. Nuk dihet nëse SPAK ka nisur ende hetimet.
Skema
Nga dosja rezulton se këtë pronë e ka fituar një 99-vjeçare e ndjerë Drane Hotaj, e cila ka lindur në Velipojë, por banonte në Grizhë të Malsisë Madhe.
Pretendohet se Drane Hotaj i ka dhënë prokurë Ardian Becit për të kërkuar pronat e saj.
Beci ka paraqitur kërkesën pranë Agjencisë se Kthim Kompensimit Pronave në Tiranë për kthimin e sipërfaqes 390 dynym tokë, por kjo kërkesë është refuzuar për shkak se dokumentacioni nuk ishte i plotë.
Më pas çështja kalon në gjykatë e cila vendos kthimin e tokës të moshuarës. Pas fitimit të pronësisë, e moshuara pretendohet se bën një testament duke dhuruar tokën.
E moshuara është përdorur si trampolinë për fitimin pronësisë me pas ka dalë jashtë loje duke dhuruar pronën.
Sipas ekspertizës kemi të bëjmë me falsifikimin e tre dokumenteve. Është falsifikuar prokura e shtetasit Ardian Beci, njëkohësisht edhe testamenti i 99 vjeçares.
Kjo çështje më pas i kalon Prokurorisë ku nga Instituti i Policisë Shkencore vërtetohen ndërhyrje në dokumentacion dhe vula.
Pjese e dosjes është edhe dëshmia e prokurores Tatjana Leçaj, emri i të cilës figuron te vërtetimi hipotekor i vitit 1997.
Ajo ka dëshmuar se nuk e ka firmosur asnjë dokument hipotekor për më tepër në këtë periudhë ajo nuk punonte në hipotekën e Shkodrës, por në Prokurorinë e Tiranës.
E ndodhur para një varg falsifikimesh të provuara prokurorja Franceskina Lekani ka kërkuar pushimin e çështjes. Sipas avokatit Loren Liço ne këto raste prokuroria duhet të kërkojë sekuestrimin e dokumenteve të falsifikuara dhe asgjësimin e tyre.
Ne lidhje me kërkesën e prokurores Franceskina Lekani për pushimin e hetimeve fjalën e fundit pritet që ta thotë Gjykata e Shkodrës.