Pas 4 muaj kacafytje zyrtare e mediatike në emër të drejtësisë, luftës kundër evazionit fiskal, kontrabandës e zbatimit të ligjit, kryeministri Edi Rama e ka gjetur “gjuhën” me Irfan Hysenbelliun, duke bërë paqe e pazar shërbimesh reciproke me të.
Sipas informacionit nga Ministria e Financave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli, pas kthimit nga plazhi, kanë tërhequr kallëzimet penale ndaj falsifikatorit, mashtruesit, hajdutit e debitorit fiskal Irfan Hysenbelliu.
“Irfani i Tmerrshëm”, i filloi sulmet te gazeta dhe mediat e tij, pas presionit që iu bë për shlyerjen e afro 11 milionë Euro detyrime fiskale në total të “Birra Tirana”, “Birra Korça”, resorti “Prestig” dhe firmës së ndërtimit, si dhe pas dy gjobave me vlerë 130 mijë Euro e 200 mijë Euro për mashtrim fiskal.
Çdo ditë nga muaji maj e deri në fund të muajit gusht 2022, faqet e para të dy gazetave dhe edicionet e televizionit të Irfanit, hapeshin vetëm me sulme kundër Klosit të tatimeve, Gazhelit të doganave, Ballukut të rrugëve e energjisë dhe aferave të Edi Ramës.
Në këtë konflikt mediatik, u përfshi dhe kryemininisti Rama, i cili mbështeti drejtorët Klosi e Gazheli, duke deklaruar se Irfani po i përdorte mediat e tij kundër qeverisë, për t’i shpëtuar detyrimeve; por sipas Ramës, nuk do tolerohej e do përgjigjej para ligjit, për evazionin dhe për shpifjet.
Mirëpo para pak ditësh, ka pushuar lufta mediatike e Irfanit me tatimet, doganat, aferat e rrugëve, landfillet dhe me qeverinë, sepse kryeministri Rama ka bërë paqe me të, duke urdhëruar drejtorët e tatimeve dhe doganave, të tërheqin kallëzimet penale që bënë në gusht.
Po kështu, “Irfanit të Tmershëm”, me një firmosje “pam- pam” i janë fshirë dhe dy gjobat me vlerë totale 330 mijë Euro, si dhe i janë hequr nga “lista e zezë” e hetimit tatimor e doganor, 2 fabrikat, “Birra Korça” e “Birra Tirana” dhe 3 firmat e ndërtimit, me paktin që të mos kontrollohen më, dhe me premtimin se do t’i falen edhe 11 milionë Euro detyrime fiskale
Pas këtij pazari, dy gazetat dhe televizioni i Irfanit, sulmet e egra i kanë zëvendësuar me publikime arritjesh, inuagurime rrugësh e shkollash dhe me kronika speciale, për politika të reja efiçente në energji, dogana, tatime dhe… ‘hosana’ për punët e shkëlqyera të kryeministrit Rama.
Paqja dhe pazari i Fanes me Edi Ramën, ka krijuar pakënaqësi te shefat e “Shtëpisë së Lirisë”, mbasi zbehu propagandën ekstremiste e “non stop”, që mediat e Irfanit i bënin luftës së Saliut e Ilirit kundër drejtësisë, kundër SHBA e synimit të tyre për pushtet.
Mirëpo, me këtë pazar që e negocioi Luan Bregasi, i falimentuari Irfan Hysenbelliu, shmangu shlyerjen e detyrimeve fiskale, hoqi qafe gjobat e kontrollin tatimor-doganor, ndërsa Edi Rama, ndërpreu sulmin ndaj qeverisë dhe riktheu në shërbim të tij mediat e Fanes./Pamfleti