Hetimet për Ilir Metën: SPAK i kërkon bankave të dhëna për llogaritë e LSI

Politikë

Publikuar: 26/08/2022

Hetimet për Ilir Metën: SPAK i kërkon bankave të dhëna për llogaritë e LSI

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po vijon hetimet për lobimin e Ilir Metës në SHBA. SPAK i ka kërkuar bankave të dhëna për llogarit bankare të LSI dhe transaksionet e kryera drejt zyrave të lobimit.

SPAK i ka kërkuar KQZ pasqyrat financiare të depozituara nga LSI përgjatë fushatave elektorale pasqyra në te cilat raportohet edhe zërat e shpenzimeve lobim. Ky hetimet po drejtohet nga vetë kreu i spak Arben Kraja dhe Prokurori Sotir Kllapi.

Dy ditë më parë i kërkoi KQZ formularin e vetëdeklarimit të Kreut të Partisë së Lirisë. Kërkesa e SPAK-ut vjen në kuadër të hetimeve për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri. Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung“, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.

Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.