Irfani e Luan Bregasi kanë zhvatur me letra false 6100 m2 zyra e apartamente dhe kanë fshehur 550 mijë Euro taksa

Aktualitet

Publikuar: 22/08/2022

Irfani e Luan Bregasi kanë zhvatur me letra false 6100 m2 zyra e apartamente dhe kanë fshehur 550 mijë Euro taksa

Nga verifikimet e bëra me urdhër të Ramës, rezulton se janë korrigjuar 11 kontratat që detyrojnë Irfan Hysenbelliun, të dorëzojë në bashki 30% sipërfaqe në ndërtimet mbi truall shteti dhe 3% sipërfaqe nga çdo objekt, për kontribut strehimi social. Në dosje janë futur firmat fantazma “FI Group” dhe “EB Construction” në pronësi të djalit të Irfan Hysenbelliut e djalit të Luan Bregasit, të cilat përdoren nga Irfani dhe Luani, si “lavatriçe” transaksionesh ilegale, për fshehje pasurie e evazion fiskal
Nga gropa e zezë e krimeve ekonomiko- financiare të bëra prej Irfan Hysenbelliut, ka dalë një vjedhje tjetër e madhe, realizuar bashkë me ortakun e tij xhambaz Luan Bregasi, nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve të dorëzuara në Bashkinë e Tiranës.

Sipas dosjes që do çohet dhe në prokurori krahas kallëzimit që ka bërë Drejtoria e Tatimeve, rezulton se kompania ndërtuese e Irfan Hysenbelliut, ka zhvatur pjesën e sipërfaqeve të ndërtimit që i takojnë Bashkisë Tiranë.

Në 7 vitet e fundit, Irfani nuk i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës, 6100 m2 sipërfaqe zyra, banesa në pallatet që ka ndërtuar mbi troje pronë shteti, të cilët i ka marrë për biznes ndërtimi.

Sipas ligjit, në rastet kur një firmë ndërtimi kërkon e përdorë sipërfaqe pronë publike për të ndërtuar, 30% e sipërfaqes së shfrytëzueshme të objektit, detyrohet t’ia jap falas Bashkisë, si konvertim pasuror fizik për truallin.

Këtë sipërfaqe e cila deri tani është 2200 m2 detyrim, 20% të së cilës duhet të jenë apartamente banimi, “Irfani i Tmerrshëm” nuk ia ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës, herë duke bërë presion me mediat e tij, herë duke përdorur kryeministrin Rama.

Po kështu, Bashkisë së Tiranës, Irfani nuk i ka dorëzuar edhe 3900 m2 apartamente që ka ndërtuar në troje private, të cilat i ka detyrim, me nenin 19 të Ligjit Nr. 22/2018 “Për strehimin social”.

Sipas këtij ligji, çdo kompani që merr leje ndërtimi pallatesh për biznes, duhet të dorëzojë në bashki 3% të sipërfaqes së ndërtuar funksionale të objektit, apartamente banimi gati për mobilim.

As këtë sipërfaqe 3900 m2, Irfani nuk ia ka dhënë Bashkisë, duke u ndihmuar me falsifikim e mashtrim nga Luan Bregasi, që është Këshilltar i PS dhe Kryetar i Këshillit Ekonomik të Bashkisë së Tiranës, por edhe Anëtar Bordi i Agjencisë Qeveritare të Investimeve Strategjike.

Nga verifikimet e bëra me urdhër të Edi Ramës, rezulton se në dosjen e Irfanit, janë korrigjuar 11 kontrata që detyrojnë Irfanin, të dorëzojë në Bashki 30% sipërfaqe në ndërtimit mbi truall shteti dhe 3% sipërfaqe nga çdo objekt, si kontribut strehimi social.

Këtë mashtrim e falsifikim e ka realizuar Luan Bregasi, që ka akses në dosjet e kontratave të Bashkisë së Tiranës, duke shfrytëzuar lidhjet me kupolën e pushtetit.

Në vend të kompanisë ndërtuese të Irfan Hysenbelliut, Luan Bregasi ka futur firmën “FI Group” të krijuar më 17 tetor 2016 dhe “EB Construction Shpk” të krijuar më 5 prill 2019.

Këto firma, janë në pronësi të djalit të Irfan Hysenbelliut e djalit të Luan Bregasit: njëra me nga 50% ortakëri secili, ndërsa tjetra 100% në pronësi të djalit të Luan Bregasit; të dyja firma fantazma pa kapitale e pa bilanc tatimor, që Irfani dhe Luani i përdorin si “lavatriçe” transaksionesh ilegale, për fshehje pasurie, evazion e mashtrime.

Por përveç kësaj, Irfani i ndihmuar nga Luan Bregasi, ka mundur të shmangë dhe 550 mijë Euro taksë që i detyrohet Bashkisë së Tiranës, si taksë e detyrueshme ligjore për ndikimin në infrastrukturë, që duhej paguar para marrjes së lejeve ndërtimore. Por skandalet e Fanes nuk mbarojnë me kaq!./Pamfleti