Numri i viktimave nga shpërthimi i fundit i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) ka arritur në të paktën 930, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se virusi po përhapet më shpejt se në çdo epidemi të mëparshme në vend.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të konfirmuara ka shkuar në 2,344, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundjavës u regjistruan 37 viktima, një nga rritjet më të larta ditore që prej shpalljes së shpërthimit më 15 maj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se ky është shpërthimi i tretë më i madh i Ebolës i regjistruar ndonjëherë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se epidemia e viteve 2018-2020 iu deshën më shumë se 10 muaj për të arritur në 2,000 raste të konfirmuara, ndërsa këtë herë ky numër u arrit në vetëm dy muaj.
OBSH vlerëson gjithashtu se numri real i rasteve mund të jetë të paktën dy herë më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht.
Shpërthimi i 17-të i Ebolës në RDK u identifikua fillimisht në provincën verilindore të Iturit. Deri tani, rastet janë konfirmuar në pesë provinca të vendit dhe në Ugandën fqinje. Ndërsa Uganda është pranë eliminimit të virusit, situata në RDK vijon të përkeqësohet.
Sipas OBSH-së, mbi 80% e rasteve të reja po zbulohen jashtë listave të kontakteve të njohura, çka tregon se zinxhirët e transmetimit nuk po identifikohen plotësisht dhe virusi po qarkullon në komunitet.
Situata është rënduar edhe më tej nga greva e punonjësve të shëndetësisë në Ituri, të cilët kanë bllokuar hyrjen në Spitalin e Përgjithshëm të Bunias, duke protestuar për mungesën e pagesave që nga fillimi i shpërthimit, pavarësisht punës në kushte me rrezik të lartë.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht 724 pacientë po trajtohen në izolim në spitale, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 22 pacientë të shëruar. Autoritetet kanë intensifikuar masat për frenimin e përhapjes së virusit në zonat më të prekura.