Dëshmia e Ilir Beqajt në SPAK, tentoi të shpëtojë prapanicën e tij nga burgu, ua hedh fajin vartësve për koncensionin 84 milionë euro që i dha shokut të tij Ilir Rrapaj, pyetja që e tronditi

Aktualitet

Publikuar: 20/07/2022

Dëshmia e Ilir Beqajt në SPAK, tentoi të shpëtojë prapanicën e tij nga burgu, ua hedh fajin vartësve për koncensionin 84 milionë euro që i dha shokut të tij Ilir Rrapaj, pyetja që e tronditi

Nga Elton Qyno

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka hequr përgjegjësinë nga vetja për koncesionin korruptiv 84 milionë euro të sterlizimit, duke ia faturuar vendimarrjen anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Sipas tij fituesi është përcaktuar nga Komisioni i ngarkuar në vitin 2015 me procedurën dhe teknikalitetet e dhënies së koncesionit 10 vjeçar, të sterilizimit të instrumentave të kardiologjisë.

Për 8 orë me radhë para prokurorëve të SPAK, Beqaj ka shmangur veten nga përgjegjësia ligjore, duke u mbrojtur me faktin se ai në cilësinë e postit politik të Ministrit, kishte nxjerrë vetëm urdhrin e datës 13 shkurt 2015, për nisjen e procedurës koncesionare, ku nuk ka pasur rol aktiv në shpalljen e fituesit.

Ish-ministri Ilir Beqaj ka theksuar se pas urdhrit të firmosur prej tij, është ngritur një grup pune që ka ndjekur çështjen.

Në dëshminë e tij ish-titullari ka treguar se nuk ka ndjekur këtë procedurë, pasi ishte Komisioni që shihte kriteret dhe vlerësonte parametrat e eksperiencës dhe ato financiarë të subjekteve garuese.

Në dokumentacion rezulton se në garë për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion dollarë, kanë hyrë 5 kompani, ku tre prej tyre janë skualifikuar në mënyrë të menjëhershme.

Gara për këtë koncesion deri në fund është zhvilluar mes dy Bashkimeve të Operatorëve Ekonomikë, ku në njërin krah qëndronin kompanitë “Action Laundry” me qendër në Durrës, “S.S.I”, “Mario Gugliemo”, dhe “Brema Ambiente”.

Ndërsa në krahun tjetër qëndronte Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed”, “U.jet” dhe “Investital”, që përfaqësohej nga Ilirjan Rrapaj, njeri i njohur dhe mik me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Burime pranë SPAK konfirmuan se Beqaj i është shmangur disa herë pyetjes nëse kishte pasur njohje dhe miqësi më parë me Ilirjan Rrapaj, person i cili në 26 maj 2015 u shpall fitues i koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Megjithëse grupi i kompanive që përfaqësoheshin nga “Action Landeri” u ankua pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke renditur një sërë shkeljesh në përllogaritjen e pikëve, KPP vendosi të pranojë ankesën duke kthyer mbrapsht në Ministrinë e Beqajt praktikën e miratimit të koncesionit.

Vendimi është marrë në 22 qershor 2015 dhe KPP-ja, vërejti se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.

Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015 dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi, ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”.

Këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë. Nga 73.98 në 91.03 pikë, rreth 22 pikë më tepër.

Burime pranë SPAK bënë me dije se Beqaj për këtë moment është shprehur se ai nuk kishte asnjë akses në përllogaritjen matematikore të pikëve.

Sipas tij pikëzimi i kritereve të dy kompanive garuese, ishte përgjegjësi e punës të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe jo e Ministrit.

Por Beqaj, rezulton të jetë firmëtar i lidhjes së kontratës koncesionare me kompani “Sani Service”.

Edhe në këtë moment Beqaj mësohet të jetë shprehur në SPAK se për qartësimin e pikave të kontratës kishte ngritur një grup pune, me ekspertë të fushës që realizuan diskutimet mbi termat ligjorë që përmban kontrata.