Lidhjet e grabitësit dhe anëtarit të bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra, me pushtetin lokal dhe qëndror, janë më të thella se sa duken.
Me anë të gruas së tij Olra Sharra, grabitësi i Rinasit ka marrë mbi 14 milionë USD tendera nga Bashkia Elbasan, Librazhd, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Spitali Psikiatrit i Elbasanit etj.
Me pararë e grabitura, Sharra ka hapur disa kompani në emër të gruas si dhe ka krijuar një pasuri me vlerë 5 milionë euro, e cila u sekustrua dje me kërkesë të prokurorisë.
Prapaskena zbulon se si ortak në biznesin kriminal me gruan e Gentian Sharrës shfaqet edhe një kuzhinier, pa historik biznesi dhe që dyshohet se mund të pastrojë paratë e bandës së Talo Çelës.
Ai është Elgert Laskaj, i cili është bashkëpronar me Olta Sharrën, gruan e Gentian Sharrës, në kompaninë e ndërtimit MPED-XH GROUP. Kompania po hetohet nga SPAK për pastrim të parave të krimit.
Elgert Laskaj është ndërkohë pronar i kompanisë ‘GERTI -1987’, e cila ka marrë 11 tendera të dyshimtë nga Agjensia e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, drejtoritë e Bashkisë së Tiranës, nga Bashkia Përmet dhe Bashkia e Kukësit.
Historia është shumë e thjeshtë dhe e zakonshme. Muaj më parë, pasi ka blerë gjoja 100 % të aksioneve për 100 mijë lekë, Laskaj ka ndryshuar objektin e veprimtarisë së kompanisë që shiste pjesë fadromash, duke shtuar edhe shitje të ushqimeve, bulmetit dhe fruta perime.
Më pas, Laskaj nis të marrë tendera publikë në vlera të mëdha. Një tender korruptiv, me vlerë 1.5 milionë euro dhe me ofertë gati sa fondi limit e ka marrë në 30 qershor 2020, për furnizim me ushqime të Drejtorisë së Burgjeve.
Këtë tender Laskaj e ka marrë nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara kur drejtohej nga Edlira Naqellari, e dënuar për korrupsion me tendera.
Tenderin e ka marrë pikërisht në bashkëpunim me gruan e Gentian Sharrës, i akuzuar nga SPAK për disa grabitje me armë me Talo Çelën, i hetuar në Itali për trafik droge dhe në Shqipëri për heqje të paligjshme të lirisë, plagosje e lehtë me dashje dhe korrupsion zgjedhor.
Dy tendera të tjerë për furnizim me ushqime, Elgert Laskaj i ka marrë i vetëm në 2022, pak para goditjes së bandës së Talo Çelës nga SPAK, gjithashtu nga nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, tashmë nën drejtimin e Endri Mullai, i besuar i ministrit Çuçi.
Tenderat janë në vlerë rreth 1.7 milionë euro. Që të tre tenderat janë me flamuj të kuq korrupsioni, ku janë përjashtuar kompanitë e tjera nga gara, ndërsa fondi limit është sa oferta fituese.
Një linjë tjetër klienteliste, kuzhinieri Elgert Laskaj e ka konsoliduar me Drejtorinë e Konvikteve dhe Shkollave të Mesme në Tiranë, me në krye Valbona Brahimin, duke paracaktuar tenderë pa garë dhe duke ndarë fitimet.
Tenderin e fundit të dyshimtë Laskaj e ka marrë nga Drejtoria e Konvikteve dhe Shkollave të Mesme në Tiranë furnizim me ushqime blegtorale në 8 mars 2022.
Një tjetër tender të dyshimtë, Elgert Laskaj e ka marrë nga Bashkia Kukës. Dy tenderë të tjerë i ka marrë ditët e fundit nga Bashkia Përmet me firmën e Alma Hoxhës.
Nuk dihet nëse SPAK po i heton këto tendera të dyshimtë të fituara nga influnca e anëtarit të bandës së Talo Çelës.