Banda famëkeqe e Talo Çelës, krahas dhjetëra vrasjeve dhe grabitjeve, merrte edhe miliona euro para publike, përmes tenderave të dyshimtë, me anë të kompanive të ngritura me paratë e grabitura me dhunë.
Dosja e SPAK mbi veprimtarinë e bandës së Talo Çelës komprometon rëndë Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrinë e Brendshme, e cila i ka dhënë miliona euro para publike njërit prej ushtarëve të Talo Çelës, për më tepër i akuzuar edhe si i implikuar në grabitjen e Rinasit.
Bëhet fjalë për Gentian Sharrën nga Elbasani, i cili akuzohet nga SPAK për 5 grabitje, kryer në bashkëpunim me Talo Çelën dhe me Nuredin Dumanin, bashkëpuntorin e drejtësisë që ka rrëfyer krimet e tmerrshme të 10 viteve të fundit, të 8 grupeve kriminale në Shqipëri.
Nga dokumentet e siguruara nga ‘Prapaskena’ rezulton se tenderin e fundit Gentina Sharra, me vlerë 2.4 milionë USD, për blerje mishi, e ka marrë nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, disa ditë para se të shpallej në kërkim nga SPAK.
Tenderi i dyshuar si korruptiv është firmosur nga Endri Mullai, drejtori i Agjencisë ë Blerjeve të Përqendruara, agjenci e cila një vit më parë ishte objekt goditje nga SPAK për skandalin e tenderit të uniformave të policisë, me vlerë 27 milionë USD, ku u arrestuan 9 zyrtarë, mes të cilëve edhe drejtoresha Edlira Naqellari, e dënuar me 1 vit burg.
Stafetën e Naqellarit e mori drejtori Endri Mullai, i cili vjen nga një përvojë aferash me tendera në Ministrinë e Bujqësisë si drejtor prokurimesh, ndërsa si drejtues i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara është përfshirë në abuzime flagrante, sa që duket e çuditshme se si ka mundësi që nuk ka rënë ende në duart e SPAK-ut.
Nga dokumentet e siguruar nga ‘Prapaskena’ rezulton se në fillim të muajit mars 2022, Endri Mullai është përfshirë në një skandal me manipulimin elektronik lidhur me një tender me vlerë rreth 2.1 milionë euro për ‘blerje tonerash’, duke anuluar anulua fituesin, me të cilin me sa duket nuk kishte gjetur një pazar për ndarjen e përqindjes.
Nga ana tjetër, Endri Mullai rezulton me lidhje të forta interesash me ushtarin e Talo Çelës, Gentian Sharrën, i cili ka marrë mbi 10 milionë euro tendera nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, firmosur fillimisht nga Edlira Naqellari dhe pas arrestimit të saj, nga Mullai.
Gentian Sharra i ka marrë paratë përmes bashkëshortes së tij, Olta Sharra, e regjistruar si person fizik, pasi Gentian Sharra kishte kryer disa grabitje me dhunë. Olta Sharra në fakt nuk ka asnjë lidhje me këtë biznes. Ajo punon si bibliotekare në Elbasan.
Biznesi është krijuar në janar të 2013 dhe administrohet nga anëtari i bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra, aktualisht në kërkim nga SPAK, pa rrëfimeve të Nuredin Dumanit.
Fillimisht Gentian Sharra hapi servis makinash, ku dyshohet se u modifikua furgoni për grabitjen e famshme në Rinas, ndërsa më pas ndryshoi objektin e veprimtarisë, në shërbim gatimi dhe shitje mishi.
Mbetet për t’u provuar nëse Gentian Sharra i ka ndarë paratë e tenderave direkt me Endri Mullain apo Mullai është urdhëruar për t’i dhënë tenderat me vlerë të lartë nga një deputet i Partisë Socialiste i lidhur në mënyrë të shumëfishtë me grupet kriminale dhe bosët ndërkombëtar të drogës.