Kësaj i thotë të vjedhë në të gjallë dhe të vdekur. Nuk i mjafton vjedhja e buxhetit të Bashkisë së Durrësit me tendera, betonizimi dhe mbulimi i qytetit me plehra, por kryebashkiakja Emirjana Sako, bashkë me ish drejtorin e komunales Shpëtim Hidri, kanë dhunuar dhe shkatërruar një pjesë të varreve të varrezave të qytetit të Durrësit, duke i trajtuar si ndërtim pa leje!
Ky skandal i paprecedentë dhe përtej çdo parimi njerëzor, konfirmohet me dokumente dhe shkresa zyrtare, si dhe me ankesa të familjarëve të njerëzve që prehen në varrezat e qytetit.
Siç e konfirmon kjo shkresë, fillimisht familjarët janë paralajmëruar nga komunalja e Durrësit që të merrnin masa që të hiqnin kangjellat nga varret deri në datë 8 qershor 2021, ndryshe do të vinte një ndërhyrje nga bashkia.
Më pas, Shpëtim Hidri, në koordinim me Emirjana Sakon, kanë ndërhyrë dhunshëm, duke dëmtuar varret. Sipas burimeve, pas kësaj ndërhyrje fshihen qëllime kriminale dhe vjedhje.
Ndërhyrja ka përfunduar me vjedhjen e kangjellave që kanë një vlerë të konsiderueshme. Gjithashtu, është dëmtuar investimi i familjarëve për të ndjerët e tyre. Lufta e Emirjana Sakos dhe vartësve të saj me varrezat ka prodhuar një konflikt me dhjetëra familje në Durrës.
Ndoshta kjo është puna e vetme që do të mbahet mend nga kryebashkiakja, pasi funksionet e tjetra diktohen dhe komandohen nga Vangjush Dako, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor. / Pamfleti