Mund të konsiderohet ‘fantazmë’, maskë oligarkësh, centrifugë e parave të pista dhe fije që të çon drejt kartelit të ndërtimit në Tiranë, kartel i cili vjen nga histori trafiqesh, korrupsioni dhe pazaresh me zyrtarë publikë. Bëhet fjalë për 54-vjeçaren Aida Dushku, pronare në letra e kompanisë së ndërtimit ‘Duhsku S.A’, me nipt: L71517036F, themeluar në vitin 2017, bashkë me Endrit Alikaj, me kapitel 100 lekë.
Në gusht të vitit 2019, bëjnë bilancin e kompanisë, ku dalin me 6 milionë lekë humbje. Tre muaj më pas, befas e rrisin kapitalin dhe e bëjnë 2 miliardë lekë. Aida Dushku dhe Endrit Alikaj nuk kanë ndonjë historik biznesi, të ardhura, kredi bankare etj., për të justifikuar këtë kapital 2 miliardë lekë, vetëm tre muaj pasi kishin dalë piramidë. Për të justifikuar shumën, dyshja llogarisin disa prona, vlera e të cilave është shumë më e ulët se sa kapitali.
Dyshimet janë të forta se ka nisur zbatimi i një skeme për pastrimin e parave të pista. Një vit më vonë del në skenë Erion Braçe, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër. Me një vendim të firmosur nga dora e Erion Braçes, 1.4 mijë m2 publike që te Garda e Republikës, i kalojnë në pronësi kompanisë “Dushku S.A”, sh.p.k, pra Aida Dushkut. Toka në zonën më të lakmueshme të Tiranës shkëmbehet me një tjetër sipërfaqe toke që kishte Dushku në një zonë tjetër të Tiranës.
Kjo aferë mban firmën e Erion Braçe, i cili duhet të dalë të thotë publikisht se çfarë ka marrë në këmbim ose të rrëfehet në SPAK nëse e kanë detyruar për të firmosur. Ku qëndron interesi publik z. Braçe që dhe 1.4 mijë m2 tokë publike tek Garda e Republikës për një sipërfaqe tjetër toke? Dhe a e di se çfarë do të bëhet në atë truall?
Historia vazhdon. Pas korrupsionit duke marrë pronën publike tek garda, ‘Fantazma’ Aida Dushku arrin të marrë lejen e ndërtimit për kulla në Bashkinë e Tiranës, gjithashtu në mënyrë korruptive, pasi po kafshohet parku i madh i liqenit.
Kullat gjigante me vlerë qindra miliona euro do të ndërtohen me para të pista. Ku i merr këto para Aida Dushku? Ku i mori paratë për taksën e lejes së ndërtimit? Ku i merr dhjetëra milionë euro për të nisur ndërtimin?!
Ja pse Tirana është kryeqyteti i pastrimit të parave dhe korrupsionit, siç e konfirmoi Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e ditëve të fundit, raport me të cili Edi Rama u tall, ndërsa opozita e copëtuar tentoi ta përdorte politikisht.
Disa muaj më parë, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, doli dy herë para gardës, duke denoncuar krimin e shumëfishtë që përfshin qeverinë, bashkinë, drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, policinë, por edhe prokurorinë që nuk vepron. Pas dy daljeve, deputeti Këlliçi mbylli gojën dhe sot nuk guxon të flasë më. Arsyet i di vetë Këlliçi.
Po SPAK kur do të veprojë për të zbatuar legjislacionin penal? Po kush fshihet pas Aida Dushkut, e cila pa një dorë nga pas, nuk do të mundte as të shkelte brenda rrethimit të Gardës? Kush janë oligarkët që fshihen pas kësaj zonje, duke e përdorur si maskë? A kanë histori trafiqesh nga pas?! Vijon.