Dosja penale ndaj zyrtarëve të IKMT në Korçë, ku nga përgjimet ka dalë edhe kryetari i bashkisë së Ersekës Erion Isai, i është përcjellë SPAK-ut. Ka qenë prokuroria lokale që pas arrestimeve të para, ka vlerësuar se hetimet duhet të vijojnë nga prokuroria e posaçme. Këshilltari i Erion Isait është përgjuar teksa flet me kryebashkiakun për të takuar biznesmenin që do të kryente rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti.
Prokuroria e Korçës ka përcjellë në SPAK dosjen ku i përfshirë rezulton edhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai. Objekt i çështjes është vijimi i hetimeve për një sërë abuzimesh korruptive në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, punësimet e paligjshme dhe shitja e lëndës drusore në Ersekë.
Kjo çështje, deri në këtë fazë ka çuar arrestimin e disa personave të akuzuar për “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe pezullimin e disa zyrtarëve të IKMT-së në Tiranë e Korçë. Ndërsa ajo që fshihet, janë zyrtarë të Bashkisë, duke filluar nga kryetari Erjon Isai, zv/kryetarja Brikena Ali, këshilltari bashkiak Lirjan Hyseni, përgjegjësi Pyjor në bashkinë Kolonjë, Amarildo Jaho, dhe disa zyrtarë të tjerë që janë përfshirë në punësime jashtë kritereve.
Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se personazhi më aktiv në këtë dosje është Lirjan Hyseni, i punësuar në IKMT Korçë, dhe njëherësh këshilltari në Bashkinë e Kolonjës. Përgjimi i datës 30 shtator 2021, tregon një bisedë të zhvilluar mes këshilltarit bashkiak Lirjan Hyseni dhe bosit të kompanisë “Xhengo SH.P.K”, Shyqyri Xhengo.
Ata bisedojnë për të hyrë në procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Qafzez.
Këshilltari bashkiak i Kolonjës, Lirjan Hyseni, e këshillon dhe orienton Shqyri Xhengon, të shkojë dhe takojë Kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erjon Isai, për rikontruksionin e disa shtëpive në fshatin Qafzes, i prekur nga tërmeti i vitit 2019. Sipas bisedës, Hyseni e ve në dijeni Shyqyri Xhengon, se bashkia kishte një fond financiar për rindërtimin e shtëpive dhe punimet ti bënte kompania e ndërtimit “Xhengo”.
Teksa mbyll telefonatën me biznesmenin Shyqyri Xhengo, këshilltari bashkiak, Lirjan Hyseni në 30 shtator 2021 telefonon kryetarin e bashkisë Erion Isain, ku ndër të tjera i thotë se duhet vetëm ta priste në zyrë biznesmenin.
Në bisedë e sipër, Livjani i shpjegon dhe informon Kryetarin e Bashkisë edhe për disa punonjës të mjedisit, të cilët kishin mbërritur për të bërë inspektim tek Ujësjellësi i Leskovikut.
Në dosjen hetimore, Lirjan Hyseni, është personi më aktiv dhe mban kontakte në mënyrë të vazhdueshme me kryetarin e Bashkisë Ersekë, Erion Isai.
Sapo Edi Rama e emëroi kryetar të Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai blen apartament 130 mijë euro. Më parë, edhe pse me paga të larta, jetonte në një apartament 70 m2, pasi dihet se në Shqipëri sado që ta kesh pagën, është e pamundur të pasurohesh shpejt. Nga ana tjetër, Erion Veliaj i emëron gruan Erion Isait në Bashkinë e Tiranës. Gruas së Isait, Ajlin Petrela, i ka gjetur një punë Veliaj si specialiste pranë Drejtorisë së Trashgimisë Kulturore dhe Turizmit, Bashkia Tiranë. Ajo ka një pagë më të madhe se sa të Isait.
Arsyeja se pse gaztori Erion Isai la një pagë rreth 70 milionë lekë të vjetra në vit për një pagë 10 herë më të ulët në krye të Bashkisë së Kolonjës, ka të bëjë me vjedhjen e buxhetit të bashkisë, përmes tenderave klientelistë dhe korruptivë, me Bashkim Ulajn, Gentian Sulën, Sadri Abazin dhe Koço Kokëdhimën. Katër grabitqarët e mëdhenj të fondeve publike kanë futur në lak dhe kanë mbuluar gaztorin me paratë që përlajnë në Bashkinë e Kolonjës, me tendera korruptivë me firmën e vetë gaztorit. Edhe pse Kolonja është një bashki e vogël, gaztori ka arritur të ndajë deri më tani miliona euro me katër oligarkët.