Ky që shihni në foto është biznesmeni Artan Xhori, pronar i kompanisë TBS 96 (NIPT: K71407001F), e cila mori paratë publike për furnizimin me 54 respiratorë për pacientët e prekur me covid-19, por solli vetëm 5 copë.
Artan Xhori nuk është thjeshtë fytyra e mashtrimit dhe vjedhjes së parave publike, por është fytyra e pasurimit dhe lojës me jetën fëmijëve dhe të mëdhenjve të prekur me covid-19.
Në 3 prill të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë me kompaninë e Artan Xhorit për furnizimin dhe vendosjen e 54 respiratorëve për pacientët në gjendje kritike për shkak të infektimit me covid-19.
Në këmbim Xhori do të merrte rreth 9 milionë USD. Sipas kontratës, Xhori duhet të dorëzonte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe 34 brenda 25 ditëve.
Pasi kishte kaluar një muaj, Artan Xhori kishte dorëzuar vetëm 5 respiratorë. 49 respiratorë nuk i ka sjellë farë. Vetëm për shkak të shkeljes së afateve të kontratës për furnizimin me respiratorë, kompania TBS 96 duhej të paguante mbi 60 mijë USD, ndonëse kostoja më e rënda e shkaktuar është jeta e njerëzve, të cilët po luftonin me vdekjen. Ministria duhej t’i mbante Artan Xhorit edhe 90 mijë USD garanci të sigurimit të kontratës.
Nga një investigim rezulton se kompania e TBS 96 e Artan Xhorit, në kundërshtim flagrant me ligjin, nuk kishte depozituar 10 % e vlerës së kontratës, pra 90 mijë USD për sigurimin e kontratës, në kundërshtim flagrant me ligjin.
Zyrtarët e ministrisë kanë lidhur kontratën pa dokumentet e garancisë. Nga ana tjetër, edhe pse Artan Xhori ka dështuar për të zbatuar kontratën, zyrtarët e ministrisë, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i marrë TBS 96 shumën prej 90 mijë USD.
Këto fakte, të cilat do t’i referojmë në SPAK, janë të mjaftueshme për të zbatuar legjislacionin penal ndaj Artan Xhorit dhe zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë së Shëndetësisë.
‘Prapaskena’ ka mësuar se kjo dosje është referuar në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas konstatimit të fakteve penale. Kallëzimi është referuar disa javë më parë.
Do të ndjekim me interes të lartë fatin e këtij kallëzimi dhe veprimet e prokurorëve të SPAK në lidhje me këtë dosje, pasi kemi indicie serioze se kupola e korruptuar e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Artan Xhori kanë nisur lëvizjet dhe po ushtrojnë ndikim të paligjshëm, për t’i shpëtuar veprimit të ligjit.