‘Skifterat’ e Laçit kanë nisur të rekrutojnë gra të moshuara për të transportuar dhe shitur në Turqi, florinjtë dhe bizhuteritë që vjedhin në dyqanet dhe vilat e Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës.
Për të mos rënë në sy të policisë, çantat me florinj, monedha argjendi dhe bizhuteri luksi u ngarkohen grave në trup, të cilat i dërgojnë në tregjet turke dhe të vendeve të tjera në rrugë ajërore, detare dhe tokësore.
Ndërsa policia shqiptare duket se ka dalë jashtë loje, policia turke pikas dhe godet herë pas here linjat e trafikut të bizhuterive të vjedhura.
Në 14 janar 2022, policia turke në Stamboll, ndaloi në aeroport Fatime Reçin, e cila kishte ngjitur në trupin e saj një çantë të mbushur me sende me vlerë, si monedha argjenti antike, ora dore mjaft të shtrenjta dhe të markava të ndryshme, dhjetëra unaza flori e argjëndi të pastër, dy shufra flori dhe vathë floriri.
Vlera e bizhuve është rreth 400 mijë USD. Fatime Reçi u pikas nga policia turke pas lëvizjeve të dyshimta.
Fatime Reçi është vjehrra e Endrit Dokles, ish numri dy i Bandës së Durrësit. Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua nga burgu nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila u arrestuar nga SPAK në sallën e gjyqit dhe më pas u dënua me 3 vite burg për korrupsion.
Fatime Reçi është gjithashtu kunata e Xhelal Reçit, i cili u vra në nëntor të vitit të kaluar në Krujë.
Nuk dihet nëse kjo ishte rruga e parë e Fatime Reçit apo zonja kishte kohë që e kryente këtë aktivitet.