Nisur nga tensionet e ditëve të fundit në Ukrainë, presidenti Ilir Meta ka thirrur sot në takim mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mbledhja e thirrur nga presidenti pritet të mbahet në orën 16:00.
Në këtë mbledhje nuk mund të jenë prezent kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka të cilët ndodhen për një vizitë 4-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa disa më parë, kreu i shtetit ka pasur edhe një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe ministrin e Mbrojtjes.
“Prita sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj. Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, që do të ishte një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare. Nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse. Në këtë kontekst, u vlerësua edhe plotësimi dhe fuqizimi i gjithë zinxhirit komandues në Forcat e Armatosura, në përputhje me sistemin gradë-funksion”, thuhet në një postim në rrjetet sociale më 11 shkurt.