Drejtorët dhe kryebashkiakët e Edi Ramës nuk kujdesen më as për të maskuar dhe as për të kamufluar aferat financiare, por ndajnë paratë publike në konflikt flagrant interesi, duke sfiduar ditën për diell SPAK-un dhe opinionin publik.
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, i dha tender me vlerë 500 mijë USD shokëve të të birit, një skemë kjo banale për të futur në xhep paratë publike. Blendi Gonxhja është drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndërkohë që me kompaninë e tij private me para publike duke u dhënë institucioneve makina me qira. Ndërkohë, ‘Pamfleti’ ka mësuar se kompania e tenderave korruptivë e pesë lushnjarëve ka marrë në punë bashkëshortin e kryetares së Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, kandidate për të vijuar drejtimin e bashkisë në zgjedhjet e 6 marsit 2022.
Eriselda Sefa ka qenë nënkryetare e Bashkisë së Lushnjes. Në korrik të vitit 2021, këshilli bashkiak emëroi Sefën në krye të Bashkisë së Lushnjes, pas arrestimit të kryetarit Fatos Tushe, për një tender korruptiv. Bashkia e Lushnjes është pjesë e njësive vendore ku kompania e ndërtimit ‘Zdravo’ ka marrë tendera të dyshimtë. Kompania është në pronësi të pesëshes Faik Sinanaj, Dashnor Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava. Ky grup ka marrë në punë bashkëshortin ose bashkëjetuesin e Eriselda Sefës, Aurel Duli.
Përveç punësimit në një drejtori publike, Duli është punësuar edhe tek kompania ‘Zdravo’, e skeduar për tendera klientelistë dhe mashtrim me zbatimin e kontratave publike. Me zgjedhjen Eriselda Sefës në krye të Bashkisë së Lushnjes, pritet që pjesa kryesore e parave për punët publike të kalojnë në llogaritë e kompanisë ‘Zdravo’, ndërsa kjo e fundit të kalojë përqindjen tek burri i kryebashkiakes së Lushnjes.
Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania e ndërtimit ‘Zdravo’ ka fituar mbi 70 tendera të dyshimtë me vlerë miliona euro. ‘Zdravo’ ka lidhur një kontratë me vlerë rreth 1 milionë USD edhe me kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Çekin dhe zëvendësimin e tubacionit kryesor të Ujësjellësit Çekin në Gramsh.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar mashtrimin me zbatimin e kësaj kontrate, ndërsa ka kërkuar kthimin e parave të vjedhura në buxhetin e shtetit. Grupi i ‘Zdravo’-s dhe Taçe pritet të përfundojnë në SPAK./Pamfleti