Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, është përfshirë në një raport interesash të ndërsjella me dy biznesmenët e ndërtimit, Mark Gjinajn dhe Lazër Mhillin, të lakuar dhe të dyshuar për mundësinë e pastrimit të parave të pista në ndërtim.
Burime të besueshme kanë konfirmuar për ‘Prapaskenën’ se Nano ka lidhur një kontratë për ndërtim pallatesh me kompaninë Vila L (NIPT: K21901002Q) me pronar Lazër Mhillin si dhe me kompaninë Rafaelo 2002 (NIPT: K22113003Q) me administrator dhe pronar me 85 % të aksioneve Mark Gjinajn.
Drejtori i Policisë mësohet se u ka dhënë dy biznesmenëve disa mijëra metra katrorë tokë për të ndërtuar pallate. Në këmbim, Nano do të përfitojë mbi 30 % të sipërfaqes ndërtimore.
Raporte të tilla kontaktuale nuk janë të paligjshme, por në rastin konkret Gledis Nano është drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa dy biznesmenët dyshohen për pastrimin e parave të pista, veprimtari kjo që mund ta njollosë z. Nano, i cili deri më sot njihet si një personazh me integritet të lartë dhe i besuar nga partnerët ndërkombëtarë.
‘Prapaskena’ disponon të dhëna për aktivitetin e dyshimtë të dy biznesmenëve të ndërtimit, që nga shitja e pasurive të paluajtshme me para cash, me burim të errët, deri tek bashkëpunimi me personazhe të skeduar për trafik droge në Itali, Spanjë dhe vende të tjera.
Këto personazhe të botës së krimit pastrojnë prej vitesh paratë e pista në ndërtim në Tiranë, ndërsa kanë arritur deri më sot t’i shpëtojnë ndëshkimit, duke vepruar në hije.
Si drejtues i lartë i policisë së shtetit, si bashkëpunëtor i besueshëm i partnerëve dhe si i vlerësuar nga SHBA, Nano duhet të informohej para se të lidhte kontratën me dy biznesmenët nëse janë monitoruar për pastrim parash dhe çfarë raportesh kanë në Mark Lulin dhe Anton Gjinajn (Pashk Rrapi).