Një nga deputetët e Lulzim Bashës, madje nënkryetari i tij, që këtë të enjte bashkoi votat me Edi Ramën për zgjatjen e mandatit të vettingut është edhe Enkeleid Alibeaj. Ndonëse pak kush i kuptoi mesazhet personale që ai dha gjatë seancës parlamentare ku justifikoi votën “PRO”, historia e tij në këtë dramë morale, nuk është vetëm politike, por edhe familjare.
Duke ligjëruar nga tribuna e kuvendit ai tha se si individ, nuk do të kishte ngritur kurrë kartonin jeshil për këtë ndryshim të ri të kushtetutës. Por shtoi ai: “Pyetja e madhe për të gjithë është se çdo të bëjmë me këtë karakatinë në të cilën është shndërruar drejtësia bashke me të edhe vetingu? Ne ishim për të votuar kundër por pesha e përgjegjësisë, ama shërbimi që do duhet ti bëjmë publikut është ai që duhet të na inspirojë, prandaj votuam pro”.
Po përse Enkeleid Alibeaj u vu në dilemën mes asaj që i kërkonin Rama, partia, ambasadat dhe tjetrës që i thoshte përvoja e tij si politikan dhe eksperienca e vet personale?
Kjo gjë lidhet me gruan me të cilën ai bashkëjeton prej vitesh dhe përkrah të cilës e ka vuajtur në kuriz politizimin, kalkulimin meskin dhe prapaskenat e ulta me të cilat kanë lozur komisionerët e vettingut. Bëhet fjalë për Marsida Xhaferllarin emri i së cilës u përfol publikisht në nëntor 2019, kur u shndërrua në mollë sherri mes presidentit dhe kuvendit për vendin që kërkonte si gjykatëse kushtetuese.
Për të aritur postin e lartë, shoqes së jetës së Alibeajt, i ishin vënë stërkëmbsha të panumurt edhe nga komisionerë të vettingut si Roland Ilia dhe Firdes Shuli, të cilëve, këtë të enjte, deputeti demokrat votoi që ti zgjatej mandati edhe 30 muaj të tjerë.
Duke e ditur se Marsida Xhaferllari po konkuronte për poste të rëndësishme në drejtësinë e re, gjyqtarët e vettingut e sorollatën atë për afro dy vjet, për ti’a bërë pothuajse të pamundur kandidimin.
Të politizuar deri në qelizë, ata e shihnin këtë juriste si një kundërshtare të partisë, pasi më parë kishte punuar në qeverisjen Berisha dhe kishte marrë poste në sistemin e drejtësisë nga mazhoranca e kaluar. Pasi kjo ish-kryeinspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, iu nënshtrua një procesi normal rivlerësimi në të tre kriteret nga të cilët doli e pastër, shumica në KPK mbërriti në përfundimin se “objekti ishte bërë i pamundur” dhe nuk mund të merrte një vendim.
Truku që u gjet për këtë vendim “sui generis”, lidhej me shkëputjen e saj nga gjykata. Sipas tyre, Marsida Xhaferllari e kishte humbur statusin e magjistrates në vitin 2011 dhe për ta rifituar duhej t’i nënshtrohej sërish një testimi në Shkollën e Magjistraturës.
Këto lojra të vettingashëve të partisë u bënë dhe më të qarta kur ato u panë si një pjesë e tablosë së madhe, që deputetët socialistë bënë për ta penguar dekretimin e ligjshëm të Xhaferllarit si Gjykatëse kushtetuese. Ish kryetari i KED, Ardian Dvorani e renditi emrin e saj të katërtin, në listën e kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese që zgjidhej nga Presidenti i Republikës. Ai fshehu letrat dhe shkeli ligjin vetëm e vetëm që mazhoranca të votonte konkurenten e saj, të besuar nga PS-ja, Arta Vorpsin, që më pas e çuan ta betonin tek një noteri poshtë urës së Lanës.
Pavarësisht nga këto lojra që e kishin zanafillën në komisionin e politizuar të vettingut, presidenti Meta vendosi ta dekretojë si gjykatëse kushtetuese gruan që bashkëjetonte me Enkeleid Alibeajn.
Partia Socialiste këmbënguli dhe miratoi një rezolutë në parlament që e cilësoi dekretimin e Xhaferllarit nul.
Por, Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar drejtpërdrejt nenit të Kushtetutës që cilësonte si gjyqtar atë që kishte kryer betimin para presidentit, vendosi të pranonte Xhaferllarin në vend të Arta Vorpsit.
Kjo është, pak a shumë, historia e një mekanizmi të pa drejtë dhe të politizuar që dëshmon kryekëput kapjen e drejtësisë nga pushteti. Një ingranazh i tij ishin padyshim dhe vettingashët që bënë sa ishte e mundur për ta penguar konkurimin e zonjës Xhaferrllari për në Gjykatën kushtetuese, ku ajo hyri në nëntor 2019.
Pikërisht, për zgjatjen e mandatit të dyve prej tyre, të cilëvë ua provoi edhe personalisht peshën e padrejtësisë, votoi pa kthyer kokën pas dhe duke mbyllur hundët, Enkeleid Alibeaj. Si në filmat e dikurshmëm të soc-realizmit, ai zgjodhi partinë përpara familjes.
Tani sfida është për gjykatësen kushtetuese, Marsida Xhaferllari, e cila me qëndrimin e saj do të duhet të vendosë për një nga brinjët e “trekëndëshit të Bermudës”, duke u shprehur pro, ose kundër shkarkimit të Ilir Metës.