Një burrneshë konsiderohej apo konsiderohet edhe aktualisht një grua e cila vendos që ajo të mos martohet deri në fund të jetës së saj, të marrë përsipër në familje punë që janë në traditën e meshkujve, të ketë një status njësoj si të meshkujve në familje, apo edhe më gjerë, si dhe të mos e thyej këtë vendim.
E tillë ishte edhe gruaja fisnike nga Viçidoli, Fatime Bardhi, e cila e ndërroi emrin në Hajdar.
Lajmin e ka dhënë i njohuri i saj Hysni Osmanaj me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Burrneshat (të njohura edhe si virgjëreshat e betuara) i përkasin një tradite që u krijua dhe u zhvillua përgjatë një periudhe disashekullore, por që vazhdon të jetë e pranishme ende sot, kryesisht në disa zona periferike të veriut të Shqipërisë. Arsyet e lindjes së kësaj tradite lidhen me një sërë faktorësh, në bazë të të cilëve qëndrojnë rregullat që organizonin dhe orientonin shoqërinë e dikurshme.
Ndër këta faktorë, më themelorët lidheshin me nevojën që kishin familjet pa një trashëgimtar mashkull për të ruajtur pasurinë familjare; për të shmangur ndonjë konflikt me pasoja fatale; për shkak të kushteve të vështira të jetesës, të cilat e detyronin një femër të shndërrohej në personin kryesor që kujdesej për familjen; por edhe për shkak të një zgjedhjeje personale që bënte femra, e cila dëshironte të bënte një jetë të tillë.
Kjo traditë, pavarësisht se në përmasa më të vogla, vazhdon ende sot në Shqipëri në disa zona.
Një burrneshë konsiderohej apo konsiderohet edhe aktualisht një grua e cila vendos që ajo të mos martohet deri në fund të jetës së saj, të marrë përsipër në familje punë që janë në traditën e meshkujve, të ketë një status njësoj si të meshkujve në familje, apo edhe më gjerë, si dhe të mos e thyej këtë vendim.
Si ka lindur tradita e burrneshave në Shqipëri
Ashtu si shumë tradita të shqiptarëve, të tilla si besa, bujaria, mikpritja, toleranca fetare etj., të cilat janë bërë objekt studimi nga historianë dhe etnografë vendës e të huaj, edhe fenomeni i burrneshave ka ngjallur një interes në mesin e studiuesve, por edhe më gjerë. Por si ka lindur kjo traditë shekullore në Shqipëri?
Në Shqipëri, disa shekuj më parë, në kushtet kur jeta ndërtohej mbi baza patriarkale dhe sipas kanuneve, mashkulli ishte figura kryesore e drejtimit të familjes, por edhe ai që mbante peshën kryesore të saj. Nisur nga kjo, në rastet kur një familje përbëhej vetëm nga vajzat, apo kur mungonte mashkulli, në disa familje në veriun e Shqipërisë kultivohej tradita e burrneshave, të cilat betoheshin se nuk do të martoheshin deri në fund të jetës së tyre, për të pasur statusin “burrëror” në familje.
Por tradita në fjalë erdhi duke u përhapur edhe për shkak të një zgjedhjeje individuale që bënin femra të tilla. Një shkak tjetër i marrjes së këtij vendimi lidhej shpesh edhe me prishjen e martesës së parë, gjë që e shtynte femrën të hiqte dorë përjetësisht nga e drejta për t’u martuar sërish dhe për t’u shndërruar në burrneshë.
Në përgjithësi, burrneshat kanë bërë apo bëjnë një jetë të vështirë, për shkak se jetojnë në zona malore të veriut të Shqipërisë, por edhe për shkak të rrethanave që i kanë detyruar të kenë këtë status. Aktualisht, një numër i vogël i tyre jetojnë kryesisht në veri të Shqipërisë, si në Shkodër, Dibër, Mat, Bulqizë, Kukës etj.
Për historitë e burrneshave në Shqipëri janë botuar edhe libra, ndërsa një interes të veçantë ka pasur edhe kinematografia, ku janë realizuar dokumentare a filma të veçantë mbi këtë traditë, e cila edhe pse është krijuar në të shkuarën e ka vijuar për shekuj me radhë, vazhdon të praktikohet ende sot dhe të jetë pjesë e realitetit shqiptar.