Gjykata Kushtetuese këtë të hënë, 7 shkurt do të mblidhet sërish për të shqyrtuar çështjen e mbetur pezull për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Seanca e tretë për shkarkimin e Presidentit pritet të fillojë në orën 10:00. Ditën e enjte, 3 shkurt përfaqësuesi i Presidentit, kërkoi 48 orë kohë, për të përgatitur përgjigjet për 72 pyetjet që i drejtuan gjyqtarët dhe kërkuesit.
Pavarësisht se përfaqësuesja ligjore e kuvendit,Klotilda Bushka propozoi dy orë kohë, pasi u tërhoq për vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e shtyrjes së seancës dhe caktoi datën e sotme (7 shkurt) ora 10:00.
Anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese i drejtuan 72 pyetje presidencës, që lidhen me qëndrimin e kësaj të fundit për aspektin procedural dhe thelbin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Metës. Vetë kreu i shtetit ka deklaruar se do i kthejë përrgjigje personalisht, teksa vetëm pak ditë më parë thirrjet “për prerje dore” apo “mprehje të sfurqeve”, tha se ishin metafora dhe epitete.
Seanca e ditës se enjte ishte e dyta e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese si pjesë e procesit me objekt shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Gjatë seancës së parë të mbajtur të hënën, trupa rrëzoi një kërkesë të presidencës për dorëheqje të tyre, si të pabazuar në ligj.
Në këtë seancë, Kuvendi e mazhoranca përfaqësohen nga Lindita Nikolla, kryetarja e parlamentit dhe Klotilda Bushka e Taulant Balla.