Mosndëshkimi i oligarkut Pëllumb Salillari, për veprimtarinë e zezë shumëvjeçare, që nga tharja e kanioneve, vjedhjen e burimeve natyrore, gërmimet e paligjshme, pastrimin e parave, korrupsionin me tendera, shembjen e rrugëve të ndërtuara me paratë publike, korrupsionin e pushtetarëve, orgjitë, ngacmimet, përdhunimet etj., është një provë e lëkundjes para krimit të SPAK-ut, projektuar si shpresa e madhe e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për të shembur perandorinë e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
Ish faturinoja e autobusit dhe me një dosje përdhunimi, Pëllumb Salillari, ka arritur të bllokojë në SPAK veprimet procedurale në lidhje me dosjen e tij të krimit dhe korrupsionit, për çështjen e vjedhjes së ujit të kanionit të Sinecit, tashmë një çështje kombëtare.
Një hetim i nisur muaj më parë në SPAK, për veprimet abuzimeve dhe korruptive të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari dhe oligarkut të betonit, Pëllumb Salillari, është stopuar në rrethana të mistershme.
Çështja penale me Nr. XXX, çuditërisht është ndaluar së hetuari, ndërsa kallëzimi i 120 banorëve të fshatit Lumas, vijon të qëndrojë si një patate e nxehtë në dorën e një prokurori të sektorit kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në SPAK.
Hetimi që prej një viti i nisur me shumë vrull nga SPAK është stopuar në mënyrë të çuditshme për shkak të kunjukturave politike dhe manovrave të oligarkut Pëllumb Salillari, i cili ka lidhjet më të gjithë krahët politikë. Salillari mësohet se është njeriu që ka futur rrethin e tij miqësor të prokurorëve dhe gjyqtarëve, po ashtu dhe politikanëve, tek prokurori i çështjes me qëllim ndaljen e hetimeve dhe pushimin e plotë të dosjes të depozituar nga banorët e fshatit.
Salillari i kërkon prokurorit të mbyllë sytë para fakteve penale, të shpërdorojë detyrën dhe të njollosë SPAK-un.
Salillari po ndjek çdo lloj strategjie për të shpëtuar veten dhe kryetarin e bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, me të cilin ka rënë dakord për të ndarë paratë e tenderit 4.2 miliardë lekë, gjoja sikur do ndërtojë një ujësjellës për disa fshatra në Kuçovë.
Sot banorët e Lumasit, në cilësinë e personave kallëzues kërkojnë marrjen në pyetje nga SPAK, por për shkak se kjo prokurori ka ndalur veprimet hetimore, asnjë prej tyre nuk është marrë në pyetje. Ndikimi i Salillarit dhe ofertat e tij financiare po japin deri diku rezultat.
Të dhënat e siguruara dhe prania e disa fotografive tregojnë qartë përçapjet e Pëllumb Salillarit, për të mbyllur sa më parë këtë çështje, e cila mund të ishte fillimi i përmbysjes së tij.
Madje oligarku i betonit mësohet ka rënë në rrjetën e përgjimeve parandaluese të Shërbimit Informativ Shtetëror,(SHISH), i cili ka pasur në survejim disa personazhe të lidhur me veprimtarinë e krimit të organizuar.
Pikërisht në këto përgjime ka dalë dhe afera Salillari, i cili dukshëm dhe me zë ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme te prokurori i çështjes, që po ndjek hetimet për tenderin e Bashkisë Kuçovë.
Janë me dhjetëra persona, të cilët janë kontaktuar nga Salillari dhe në vende të ndryshme në kryeqytet, janë takuar dhe u është kërkuar ndikimi criminal tek prokurori i çështjes.
Në këto takime, të zhvilluara dhe afër banesës së tij që ndodhet në afërsi të “Kopshtit Zoologjik” në Tiranë, është vërejtur se Salillari takon individë që kanë njohje dhe miqësi me prokurorin e çështjes.
Salillari që dikur punonte në linjën e urbanit Kuçovë-Berat, sot ka guximin të ofrojë shifra astronomike që shkojnë deri në 500 mijë euro, vetëm për të mbyllur një kallëzim penal të iniciuar nga një grupim qytetarësh.
Kjo shifër e majme që për Salillarin e sotëm dhe jo të djeshëm, nuk është asnjë gjë, po synohet t’i ofrohet pikërisht një prokurori të SPAK, që detyra e tij është vetëm të hetojë dhe të çojë para drejtësisë këdo që ka shkelur ligjin në këtë aferë korruptivë.
Prokurori i çështjes, sipas ligjit, duhet të mos tundohet dhe të qëndrojë larg takimeve komprometuese që favorizojnë oligarkun Pëllumb Salillari dhe kryebashkiakun, Kreshnik Hajdari.
Prokurori është një subjekt që paguhet gati 5 milionë lekë në muaj nga taksat e qytetarëve dhe një person që është betuar mbi kushtetutë e para presidentit të vendit, se do çojë në bankën e të akuzuarve këdo individ dhe zyrtar që ka shkelur ligjin. Mediat, segmente ndërkombëtare dhe shërbimet po vëzhgojnë çdo lëvizje të oligarkut përdhunues si dhe çdo veprimit të prokurorit të dosjes.
Banorët e Lumasit, që janë kthyer në bllokadën e Salillarit dhe në mbrojtjen e vlerave natyrore që ka kanioni i Sinecit, kanë kallëzuar në SPAK, “pinokun” Pëllumb Salillari, kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari, ish-ministrin e Turizmit Blendi Klosi, dhe drejtuesin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Ajet Zyberaj.
Po kështu në listën e personave të kallëzuar për batërdinë e shkaktuar në kanionin e Sinecit, janë dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave për tenderin kriminal, duke shpallur më pas fituese kompaninë e Salillarit.