Prapaskena

Familjarët e ish-drejtorit të rrugëve marrin nga Veliaj 120 milionë lekë, për ekspertizë rrugësh

Publikuar: 02/02/2022

Jo vetëm që kompania e familjarëve të ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar merr 120 milionë lekë për sinjalistikë rrugësh nga Bashkia e Tiranës por marrja e tyre realizohet me një skemë speciale.

Kompania e Gramoz dhe Ervin Qendros, familjarëve të Afrim Qendros, tashmë prefekt i Tiranës, bashkon forcat me një kompani tjetër për të fituar tenderin e sinjalistikës së kryeqytetit, por për çudi futen në konkurencë me një kompani të tretë, e cila në fakt ka lidhje të fortë me kompaninë me të cilën Qendrot kanë bashkuar forcat. Administratorët e dy kompanive që janë futur “në konkurencë” janë babë e bir.

“Eral Construction Company” e Gramoz dhe Ervin Qendros e ka fituar tenderin me “Si.Si-Al” të Stefan Çaçit “në luftë të fortë” me kompaninë ““R. S. & M” të babait të Stefan Çaçit, Nikolla Çaçi.

Skema është përsëritur në dy tendera, teksa në total ato u kanë kushtuar taksapaguesve rreth 120 milionë lekë të vjetra.

“Tirana Parking”, e varur nga Bashkia e Tiranës u ka dhënë këtyre dy kompanive 4 deri në 5 muaj kohë për të vijëzuar 12 rrugë, 36 blloqe parkimesh dhe për të vendosur 1453 tabela.

Afrim Qendro ka mbajtur pozicionin e kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar kohë më parë, ndërsa tani është emëruar prefekt i Tiranës.

Mund të themi se ky është rasti kur ekspertiza për rrugët rrjedh në vena.

 



Më të lexuarat