Arti shqiptar humbet një tjetër emër të njohur të kinematografisë. Aktori Anastas Kristofori ndërroi jetë sot në moshën 78-vjeçare. Ai luajti në 11 filma dhe 11 shfaqje në teatër.
Kristofori mbahet mend për rolin e drejtor Perikliut në komedinë “Pallati 176”. Gjatë karrierës, ai ka interpretuar dhe në filmat “Lulekuqe mbi mure”, “Misioni Përtej Detit”, “Vendimi”, “Kush vdes në Këmbë”, etj. Në teatër, Anastas Kristofori ka marrë pjesë në shfaqjet e “Arturo Ui” dhe “Prefekti”.
Roli i tij i fundit ishte telekomedia “Po vjen ai”, vazhdim i “Pallatit 176”. Për kontributin e tij në aktrim, Kristofori mbajti titullin “Artist i Merituar”.
Varrimi i tij do të bëhet nesër në vendlindje, Vuno të Vlorës.