400 mijë dollarë tender për kuzhinierin e famshëm, SPAK nis hetimet për kreun e FSHZH

Pa Kategori

Publikuar: 02/02/2022

400 mijë dollarë tender për kuzhinierin e famshëm, SPAK nis hetimet për kreun e FSHZH

Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Ky i fundit ka punuar me djalin e kreut të FSHZH Flladi Agolli në restorantin e tij. Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Firma fituese është një bar restorant që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit në rrugën Sami Frashëri në kryeqytet. Ky ambient frekuentohet nga zyrtarë të niveleve të ndryshme që punojnë në FSHZH.