Letra e qesharake e KLP-së për butaforikun Tartar Bazaj: Është e ardhmja e drejtësisë, ka potencial të madh akademik, ka rreth të gjerë! 

Pa Kategori

Publikuar: 24/01/2022

Letra e qesharake e KLP-së për butaforikun Tartar Bazaj: Është e ardhmja e drejtësisë, ka potencial të madh akademik, ka rreth të gjerë! 

Organet e drejtësisë së re sa vijnë e bëhen më qesharake, ku anëtarët e së cilës kanë nisur t’i bëjnë ‘qoka’ njëri-tjetrit, për të shijuar sa më gjatë pagat e majme, pazaret dhe moçalin që po krijojnë.

Ilustrim është edhe kjo letër e firmosur nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët lavdërojnë dhe ngrenë në qiell në konflikt interesi, kolegun e tyre Tartar Bazaj, me kërkesë të këtij të fundit.

Pra, Bazaj u ka kërkuar që të lavdërojnë dhe ata nuk janë kursyer. Letra mund të jetë shkruar vetë nga Bazaj dhe ua ka vendosur para anëtarëve të tjerë për të firmosur, në kuadër të ambicies së tij për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Mendimi i tij i thellë juridik dhe inteligjenca e treguar prej z. Bazaj krijojnë bindjen e plotë që e ardhmja e tij i përket jurisprudencës dhe fushës akademike shqiptare… Përveç anës profesionale dhe formimit të tij akademik, z. Bazaj ka dëshmuar se është njeri social, me vlera qytetarie dhe me rreth të gjerë shoqëror, ku ka ushqyer frymën e miqësisë së sinqertë…”, thuhet në letrën e firmosur nga anëtarët e KLP-së, të cilët nuk dihet se si e kanë mbajtur të qeshurën kur kanë firmosur. Letra është një ‘perlë’ e vërtetë e drejtësisë së re.

Në vitin 2020, Bazaj u përplas me kryetarin e KLP-së Gent Ibrahimi, se përse në adresë të tij në zyrën e KLP-së nuk kishte mbërritur asnjë kartolinë urimi për Vitin e Ri. Tartar Bazaj i ka kërkuar informacion Ibrahimit edhe për ndarjen e tollonave të karburantit. Në një mbledhje tjetër, Bazaj ka pohuar se se anëtarët e KLP janë si prindër të prokurorëve. Debati është mbyllur me ironi nga Ibrahimi duke pohuar se “kështu e lëmë atëherë që jemi prindër të prokurorëve”.

Bazaj është lakuar se nuk ka diplomë të shkollës së mesme dhe se ka plagosur dy persona.

Letra e anëtarëve të KLP për Tartar Bazaj

Tartar Bazaj në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, na ka kërkuar këtë letër rekomandimi për ta paraqitur pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në kuadër të procesit te aplikimit për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesës së tij i përgjigjem me kënaqësi të veçantë.

Bazaj është i njohur prej nesh në periudhën 2019-2021 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku performanca e tij gjatë këtyre viteve është e një niveli maksimal, veçanërisht në përvojën dhe eksperiencën që ai përcjell në vendimmarrjen e Këshillit.

Bazaj është një individ me potenciale të mëdha akademike dhe një njeri profesionist, i cili disponon aftësi të veçanta, një shpirt kritik, punëtor dhe një shkallë të lartë integriteti.

Tartar Bazaj është një anëtar i spikatur i Këshillit, për shkak edhe të përvojës së tij të gjatë dhe punës si gjyqtar dhe avokat, duke imponuar bindjen në formimit të tij akademik dhe profesional në përputhje dhe në harmoni të plote me kushtet dhe nivelin e kërkuar për kohët e sotme.

Njohuritë e tij mbi të drejtën përfshijnë një gamë të gjerë si në rrafshin civil/privat. ashtu edhe në atë publik dhe penal, çka e privilegjon atë për trajtimin me seriozitet e profesionalizëm të çështjeve të çdo lloji, në raport me masën e gjerë të juristëve në vend.

Duke pasur dijeni të plotë për aspiratën e z. Bazaj për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese si dhe duke njohur aftësitë e tij të treguara gjate këtyre viteve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, sidomos në respektimin e standardeve Kushtetuese gjatë proceduarave vendimmarrëse të Këshillit, jemi të bindur që z. Bazaj do të jetë i aftë të përmbushë me seriozitet dhe efektivitet detyrat kushtetuese të cilat ai aspiron.

Mendimi i tij i thellë juridik dhe inteligjenca e treguar prej z. Bazaj krijojnë bindjen e plotë që e ardhmja e tij i përket jurisprudencës dhe fushës akademike shqiptare.

Për këto arsye vlerësojmë që z. Bazaj të konsiderohet një kandidat potencial për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese, për të cilin ka kandiduar. Përveç anës profesionale dhe formimit të tij akademik, z. Bazaj ka dëshmuar se është njeri social, me vlera qytetarie dhe me rreth të gjerë shoqëror, ku ka ushqyer frymën e miqësisë së sinqertë, të kontributit pozitiv dhe të altruizmit, duke qenë në të gjitha rastet një person me ndikim pozitiv dhe me reputacion të shkëlqyer, tek të gjithë Anëtarët dhe tek personeli i administratës së Këshillit.