Mediat ekuadoriane kanë publikuar të tjera detaje në lidhje me vrasjen e shqiptarit Ergys Dashi në Guayaquil të Ekuadorit. ElUniverso shkruan se dy atentatorët kanë mbërritur pranë restorantit ku dhe ndodhi krimi me një makinë të llojit Ford Explorer me ngjyrë të zezë. Njëri hyri me disa lule në dorë, ndërsa tjetri, i veshur me kapuç, qëndronte në derën e biznesit me një armë në dorë.
Ai që mbante buqetën e luleve në duar, u fut brenda dhe qëlloi për vdekje 34-vjeçarin shqiptar, i cili po priste pjatën e tij të ushqimit dhe ishte në shoqërinë e një burri tjetër. Brenda pak sekondave, autori zbrasi plumbat në drejtim të Dashit dhe e la atë të vdekur në vend.
Ngjarja e rëndë ka shqetësuar edhe restorantin në fjalë që në një deklaratë publike është shprehur se situata ka qenë totalisht jashtë kontrollit të tyre. Për momentin restoranti është mbyllur e nuk dihet kur do të hapet, pasi trauma që ka pësuar kjo zonë, do të jetë shumë e vështirë të kalojë shpejt.