Prapaskena

Nisma për Këshillimin Kombëtar, formularët e Bashkëqeverisjes u dërgohen në shtëpi banorëve të Tiranës! Rama: Të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive politike

Publikuar: 23/01/2022

Formularët e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë u janë dërguar tashmë banorëve të Tiranës në shtëpi. Qytetarët mund t’i plotësojnë dhe më pas me anë të një zarfi mund t’i dërgojnë me postë falas në kryeministri. Ndërkohë qytetarët kanë mundësi që t’i plotësojnë formularët e pyetjeve për bashkëqeverisjen edhe online. Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ka shpërndarë adresën online, i fton qytetarët të plotësojnë formularët dhe thekson se kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin

‘Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar si vijon Keshillimi Kombëtar!’- shkruan kreu i qeverisë.

Nga vaksinimi i detyrueshëm te legalizimi i kanabisit, janë disa nga pyetjet që qytetarët do të japin opinionin e tyre përmes Këshillimit Kombëtar. Pyetësori prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.

Qeveria, në mandatin e saj të 3 qeverisës, ka vendosur që të dëgjojë më shumë zërin e qytetarëve për çështjet me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë. Kjo do të bëhet përmes nismës “Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë”, që sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë një kuvendim popullor me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për të dhënë mendimin e tyre për çështjet me rëndësi.



Më të lexuarat