Edhe qarku i Kukësit është zgjuar i zbardhur nga dëbora mëngjesin e sotëm ndërkohë gjatë natës është shoqëruar me reshje shiu me intensitet mesatar dhe erëra të forta.
Lartësia e borës në Shishtavec ka arritur në 40 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prushi Has 10 cm.
Nga informacionet e marra nga Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Kukës, rezulton se rrugët nacionale dhe rruga e Kombit janë të kalueshme normalisht.
Nga kontraktorët vazhdon të punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin e borës, largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Edhe rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit të Mbrojtjes Civile të Prefekturës Kukës, furnizimi me energji elektrike është normal, përveç, Njësisë Administrative Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë- Çajë, Tërthore, fshatrat Shishtavec, Novosej, Zapod, Njësia Administrative Shishtavec, qyteti Kukës 400 abonentë dhe Njësia Administrative Gjinaj bashkia Has.