Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një fëmijë 3 vjeç nga fshati Kusarth ka humbur jetën pak pas mesnate, pas disa orësh në gjendje të rëndë.
Burime bëjnë me dije se fëmija është dërguar me urgjencë në pediatrinë e Elbasanit dhe është futur menjëherë me oksigjen. Mësohet se ai ishte i prekur nga bronkopneumonia dhe insuficienca e ulët e oksigjenit.
Sipas policisë grupi hetimor ka kryer hetimet e para dhe tashmë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së të miturit.
“Më datë 19.01.2022, në orët e para të mëngjesit është dërguar në spitalin e Elbasanit, në gjendje të rëndë për jetën, shtetasi i mitur A. I., 3 vjeç, i cili pas disa orësh ka humbur jetën.
Grupi hetimor ka kryer veprimet e para hetimore në vendngjarje dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës”, njofton policia.