Emrat e grave të vrara, tashmë në rrugët e kryeqytetit

Pa Kategori

Publikuar: 14/01/2022

Emrat e grave të vrara, tashmë në rrugët e kryeqytetit

20 rrugë të kryeqytetit kujtojnë viktimat e dhunës në familje dhe  mbajnë simbolikisht emrat e  grave shqiptare të vrara  gjatë vitit 2021.

Viktima kryesisht të bashkëshortëve, partnerëve të tyre, por edhe të vëllezërve apo baballarëve, emrat e tyre shihen tashmë në disa nga rrugët e kryeqytetit.

Kjo nismë u ndërmor nga një grup aktivistësh të cilët në përkujtim të këtyre grave vendosën që 20 rrugë të Tiranës të mbajnë emrin e tyre.

“Mbi të gjitha, vrasja e grave dhe dhuna me bazë gjininë, nuk janë çështje private por shoqërore dhe politike. Për pasojë, adresimi i tyre meriton vëmendje gjithpërfshirëse dhe akte konkrete institucionale që garantojnë drejtësi për viktimat; mbrojtje, siguri e mirëqenie për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore”, u shpreh Kolektivi Feminist përmes një komunikimi publik për median.