Vetëm 14-vjeç, por Lorenzo Candian, shahisti i vogël italo-shqiptar, ishte gati të mundte nënkampionin e botës, Nigel Short. Mosha dhe inteligjenca e Lorenzos duket se nuk ecin paralel dhe këtë ai e dëshmoi më së miri në kampionatin e shahut në Treviso.
I ulur përballë mjeshtrit Short, me ushtarët e tij të bardhë të rreshtuar, Lorenzoi ‘luftoi’ për dy orë e gjysmë me ushtarët e zinj të kundërshtarit të tij. Përqendrim e tension në kulmin e lojës, teksa Lorenzo po udhëhiqte bindshëm me 6 pikë e gjysmë përpara, por një alarm i harruar në telefonin që Lorenzo kishte në çantën e shpinës do të bënte që ai të humbiste në tavolinë, pasi sipas rregullores telefonat duhej të ishin fikur.
Babai i tij, Matteo Candian thotë se alarmi i vendosur ishte ora për stërvitjen e Lorenzos. Por pavarësisht se humbi, historia e Lorenzos u ‘shpërnda’ shumë shpejt, duke mbushur faqe gazetash në Itali.”Ai ishte shumë i mërzitur, donte të largohej nga turneu, por unë i shpjegova se këto episode e ndihmojnë të rritet”, tha ai.
Lorenzo, me nënë shqiptare, Valbona Lushin dhe baba italian, filloi të luante shah që në moshën 8-vjeçare. Babai i tij thotë se ky pasion bëhej gjithnjë më i madh.
Ai shprehet se do t’i bëjnë një propozim Short që të zhvillojnë 6 ndeshje vitin e ardhshëm, një lloj raundi i dytë i një loje që përfundoi shumë shpejt për shkak të një alarmi.