Arsyet e përplasjeve të dhunshme mes grupit të Sali Berisha dhe grupit të Lulzim Bashës për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike, në një nga zonat më të lakmueshme të Tiranës, nuk janë ato që duken.
Pas luftës për jetë a vdekje të Sali Berishës për të marrë me forcë selinë e PD-së, duke dëbuar Lulzim Bashën dhe rrethin e tij, duket se fshihen interesa të fuqishme për megakulla me vlerë dhjetëra milionë euro që projektohen në atë zonë. Report Tv ka zbuluar një projekt për ndërtimin e tre kullave luksoze dhe gjigante, pikërisht në vendin ku ndodhet sot selia e Partisë Demokratike, më parë Shtëpia e Oficerëve, por që u tjetërsua në vitin 2013 nga Sali Berisha, para largimit nga pushteti, në bashkëpunim me ish ministrin e Brendshëm Flamur Nokën dhe ish Presidentin Bujar Nishani.
Projekti është bërë nga një studio arkitekturore indiane, NBM Media, ndërsa përshkruhet vendi i zbatimit, mes Parlamentit, Xhamisë dhe Kishës Katolike, që përkon pikërisht me selinë e PD-së. E themeluar në vitin 1995, studioja indiane konsiderohet më e madhja në industrinë e ndërtimit në Indi dhe Azinë Jugore. (Linku i projektit).
Duket se Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë në dijeni të këtij projekti, me të cilin publiku njihet për herë të parë. Duke pasur nën kontroll selinë e Partisë Demokratike, ata duket se kanë menduar se do të bëhej kësisoj pjesë e projektit me vlerë dhjetëra milionë euro.
Nuk ka një arsye më bindëse dhe domethënëse e luftës së egër dhe përplasjeve të dhunshme në prag gjakderdhje, për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike.
Në fund të fundit legjitimitetin nuk ta jep një godinë, por mbështetja e strukturave, mbledhjet dhe vendimmarrjet brenda kornizave të statutit.
Sali Berisha apo Lulzim Basha mund të marrin edhe një godinë më qira dhe të pretendojë secili se është kryetari i Partisë Demokratike.
Por, lufta është përqendruar pikërisht për godinën shtetërore, që u rrëmbye 9 vjet më parë nga Sali Berisha, dhe për të cilën ka një projekt për një ndërtesë gjigante.