Në seancën e parë të parlamentit të ri, Lulzim Basha tha se Alqi Bllako e kishte vendin në burg dhe jo në Parlament, si dora e zezë e korrupsionit që bëri letrat e vjedhjes së 400 milionë eurove me aferën e incineratorëve, bashkë me Arben Ahmetajn.
Alqi Bllako është një nga hajdutët më premtues në Shqipëri, pasardhës i denjë i Arben Ahmetajt dhe Ilir Metës.
Ai ka kërcyer sa në prehrin e Sali Berishës si denoncues i vjedhjeve të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, në prehrin e Ardian Fullanit që vodhi thesarin e bankës, më pas në prehrin e Lefter Kokës me porosi të Ilir Metës si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit ku finalizoi aferën e incineratorëve.
Në vijim Bllako kaloi në prehrin e Ilir Metës, tutorit të tij kryesor, si sekretar në Presidencë. Më tej kërceu në prehrin e Edi Ramës si Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve e Landfilleve ku vodhi miliona euro me tendera korruptivë.
Alqi Bllako ishte një nga pionierët e korrupsionit të LSI. Ai nuhati rrënimin e bandës së Ilir Metës dhe kërceu në prehrin e Edi Ramës. Ky i fundit e bëri deputet, duke e futur në listën e Partisë Socialiste në Tiranë, si shpërblim pasi ishte nyja e lidhëse e kokave që po fusin në xhep paratë nga biznesi i ngritur me para publike për trajtimin e plehrave në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të gjendur jashtë rrethit të vjedhjes me incineratorët, denoncuan vjedhjet e Bllakos, pra të njeriut që para se ta rekrutonte Rama, kishte vjedhur për llogari të bandës së tyre.
Meta dhe Kryemadhi kallëzuan në SPAK Alqi Bllakon, i cili kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, i propozuar nga vetë Meta, bëri letrat e ngritjes së biznesit të incineratorëve me paratë publike, në koordinim me ministrin Lefter Koka, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn,
Deklarata e Bashës se Alqi Bllako e ka vendin në burg është plotësisht e drejtë, por Basha mbulon një pjesë të së vërtetës, sidomos lidhjen e deputetit të PD-së, Gerti Bogdani, me Alqi Bllakon dhe Mirel Mërtirin, njeriu që ka në letra biznesin e incineratorëve, të ngritur me para publike.
Mirel Mërtiri është ortaku kryesor i Arben Ahmetajt. Kur Arben Ahmetaj bëri një aksident në Maqedoni, pasditen e 16 korrikut 2017, në makinë ishte me Mirel Mërtirin, i shpallur nën kërkim ndërkombëtar për korrupsion madhor deri në Zimbabve.
Mirel Mërtiri është gjithashtu njeriu që mbulon me para Alqi Bllakon. Mirel Mërtiri, i cili njihet edhe me emrat Klodian Mërtiri dhe Ilir Dedja, i jep nga 10 milionë lekë në muaj babait të Alqi Bllakos me incineratorin e Tiranës.
Dhe ky është vetëm një bakshish. Alqi Bllako dhe Mirel Mërtiri janë përfshirë në afera me tendera në Zimbabve, ku për pasojë janë arrestuar zyrtarë të lartë deri tek ministri i Shëndetësisë, Obadiah Moyo.
Gerti Bogdani i PD-së shfaqet si shoqërues i Mirel Mërtiri nëpër Evropë deri në Afrikë. Kjo foto, në të cilën Gerti Bogdani shfaqet duke shoqëruar Mirel Mërtirin në takim me kokat e korrupsionit në Zimbabve, presidentin me djemtë e tij, hedh në erë kauzën e PD-së për denoncimin e vjedhjes me incineratorët. Si mund të flasësh për vjedhjen me incineratorët (fabrikat e plehrave), pa sqaruar rolin e Gerti Bogdanit si shoqërues i Mirel Mërtirit, nyjes së aferës?!
Vitin e kaluar në Zimbabve plasi skandali i vjedhjes me tendera. Dora e radhës ishte 60 milionë USD me një tender në shëndetësi. Mirel Mërtiri, i skeduar për pastrim parash, trafiqe, mashtrime dhe një sagë me krime që shtrihen në disa kontinente, përmes disa kompanive fantazmë të regjistruar në Zvicër, merrte tendera korruptivë në Zimbabve. Kompanitë fantazmë të Mërtirit janë Drax Consult Sagl dhe Drax International.
Më pas, paratë ndaheshin sipas roleve mes Mërtirit, sekserit, ministrit të Shëndetësisë, djemve dhe gruas së presidentit të Zimbabve, Emmerson Mnangagva.
Sekseri në këtë rast ishte Dalish Nguvaja, i arrestuar. Nguvaja kishte lidhje të forta me Kollins Mnangagva, djali i Presidentit të vendit, Emmerson Mnangagva. Dalish Nguvaja del edhe si ortak në biznes i Mirel Mërtirin, klientin e Arben Ahmetajt dhe Alqi Bllakos. Në udhëtimet e tij për të bërë pazaret në Zimbabve, Mirel Mërtiri merrte me vete edhe Gerti Boganin, i cili vijon të heshtë për rolin e tij dhe se ç’punë kishte mes kokave të korrupsionit ndërkombëtar.
Ministri i Shëndetësisë, Obadiah Moyo, para arrestimit, ka kontaktuar edhe një tjetër kompani tjetër shqiptare Papi-Pharma.
Kjo kompani është pikërisht e Alqi Bllakos, por që e ka kaluar në letra në emrin e vëllait të tij, Taned Bllako. Alqi Bllako dhe Mirel Mërtiri ndjekin të njëjtën rrugë korrupsioni deri në Zimbabve.
Dyshja dyshohet se fshihet edhe pas kompanive të tjera të regjistruara jashtë Shqipërisë, me të cilat qarkullojnë paratë e korrupsionit bashkë me Arben Ahmetajn.
Pavarësisht këtij mali me fakte, SPAK ende nuk arreston Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Lefter Kokën, Arben Ametajn dhe Erion Veliajn, si njerëzit që kanë firmosur për vjedhjen e mbi 400 milionë eurove me aferën e incineratorëve.