Sot skadon afati që Berisha i ka lënë Bashës për t’u larguar nga selia. Çfarë do të ndodhë?

Pa Kategori

Publikuar: 05/01/2022

Sot skadon afati që Berisha i ka lënë Bashës për t’u larguar nga selia. Çfarë do të ndodhë?

Ka skaduar sot afati që Sali Berisha i la në formë ultimative Lulzim Bashës për t’u larguar nga selia e PD-së bashkë me lidershipin e tij.

Berisha ka kërcënuar se do të shkojë në ‘shtëpinë e demokratëve’, ndërsa Basha i është përgjigjur duke fortifikuar më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm.

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë sot në selinë e partisë më të madhe opozitare në vend, ndërsa Lulzim Basha ka theksuar se situata do të vijojë në normalitet, pa ngjarje të pazakonta.

Ditën e djeshme, përplasja mes tyre arriti kulmin, teksa Basha artikuloi akuza të rënda ndaj Berishës që nuk i kishte përmendur më parë. Sipas Bashës, Berisha bën biznes dhe pastron para me trafikantët e drogës të shpallur “Non Grata” nga Britania e Madhe.

Basha nuk përmendi emra konkret, por foli për pjesëtarë të një organizate kriminale B9, me të cilët thotë se Berisha dhe familja e tij bëjnë biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash si dhe ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit.

Kujtojmë se krahas betejës fizike për selinë, Berisha dhe Basha kanë nisur edhe një betejë në gjykatë, për legjitimimin e statuteve.

Sali Berisha ka dërguar në gjykatë për konfirmim statutin që miratoi në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ndërsa në gjykatë për konfirmim ka dërguar edhe Lulzim Basha statutin e ndryshuar të PD-së, ndonëse 5 muaj më vonesë.

Konflikti në PD nisi në 9 shtator 2021, ditën kur Lulzim Basha, pas një ultimatumi nga SHBA, pezulloi Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.