Që pas darkës së famshme të Nusretit, përfaqësues të qeverisë Rama kanë qenë të paktën edhe 4 herë të tjera në Dubai për të negociuar direkt me Muhamed Alabar për koncesionin e shumëpërfolur të Portin të Durrësit.
Në të njëjtën kohë vet Alabar ka qenë disa herë në Tiranë. Por të gjitha vizitat e ndërsjellta janë mbajtur sekret dhe pa asnjë njoftim publik.
Ndonëse jashtë syve të publikut negociatat mes palëve kanë qenë intensive. Pika më e nxehtë e tyre mbetet pjesëmarrja e qeverisë shqiptare në projekt.
Arabët kërkojnë që shteti shqiptar të hyjë si aksioner në koncesion. Kjo nënkupton se qeveria, veç faljes së tokës duhet të financojë edhe investimin në proporcion me përqindjen e aksioneve që do të ketë në projekt. Por qeveria shqiptare preferon një tjetër pjesmarrje, atë të pronares përfituese.
Pra arabët të financojnë të gjithë projektin, ndërsa qeveria të përfitojë një përqindje të caktuar nga të ardhurat e shitjes së apartamenteve që do të ndërtohen në zonën e portit.
Me sa duket tashmë palët po shkojnë drejt marrëveshjes finale. Këtë të mërkurrë në rendit e ditës të mbledhjes së qeverisë ishte caktuar edhe një vendim, që e kalon pronësinë e Portit të Durrësit nga Ministria e Infrastrukturës tek ajo e Financave dhe Ekonomisë.
Nuk dihet nëse vendimi do të kalojë po sot, apo gjatë ditëve në vijim. Por konsolidimi i pronës tek një ministri e vetme është hapi i parë, i cili do të pasohet nga kalimi i të gjithë pronës së Portit dhe 100 hektarëve tokë shtetërore përreth tij tek kompania Symphony Invest.