Shqipëria po kalon një krizë kibernetike, ndërsa shteti është shpartalluar. Shteti i ka zhveshur qytetarët lakuriq.
Në databazën e parë, ishte lista e 9 mijë patronazhistëve e kryqëzuar me informacione për 910 mijë banorë të Tiranës.
Për secilin prej banorëve ishin numrat e celularëve dhe kartat e identitetit, adresat dhe bindjet politike. Realizimi i një databaze të tillë ishte i pamundur të krijohej nga gazetarët, por kryeministri Rama mohoi importimin e të dhënave nga institucionet shtetërore drejt selisë së PS-së, duke thënë se patronazhistëve nuk kishte ç’ti duhej numri i kartës së identitetit të votuesve.
Lista me pagat e Janarit
Pikërisht kur skandali i listës së patronazhistëve po shuhej dhe kompjuterat e Partisë Socialiste ishin shmangur nga hetimit, në Whatsapp në të gjithë Tiranën nisi të qarkullojë një listë tjetër, ajo me pagat e muajit Janar të vitit 2021. Reagimi i zëdhënësit të qeverisë Endri Fugës ishte sërish mohues. Sipas tij, lista kishte edhe gabime në numrin e personave të deklaruar.
Lista me pagat e Prillit
Ndërkohë që kryeministri Rama po përpiqej të gjente një alibi për t’i shpëtuar përgjegjësisë mbi daljen e pagave të janarit, në ëhatsap nisi të qarkullojë një listë e dytë me pagat e muajit Prill. Kjo ishte akoma më e pasuruar.
Me 60 mijë vende pune më shumë dhe me numrat e telefonit të qindra të punësuarve.
Kryeministri Rama tha se dyshonte se lista mund të ishte nxjerrë nga punonjës të Tatimeve dhe akuzoi për këtë opozitën e vendit. Ai i bëri thirrje prokurorisë të hetojë duke drejtuar gishtin tek punonjës të Tatimeve.
Lista me të dhënat e targave të mjeteve
Një listë tjetër me të tjera të dhëna personale të qytetarëve qarkulloi në Whatsapp këtë të premte. Me të njëjtën lloj materiali kompjuterik, lista përmban llojin e makinës që disponon secili prej nesh, targa, ngjyra e saj etj.
Drejtori i targave, Blendi Gonxhe bëri një reagim sa për të kaluar radhën. Sipas tij të dhënat për mjetet janë të regjistruara në disa institucione dhe me këtë “i lau duart” për rrjedhjen e të dhënave, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi.
Pse po dalin të dhënat e tjera personale
Duket sikur lista e targave të makinave nuk prek aq sa lista e pagave, por publikimi i saj është akoma më shqetësues.
Databaza me targat që doli sheshit provon vetë ekzistencën e sistemit, që krijoi Partia Socialiste dhe që Lapsi.al e paralajmëroi që para zgjedhjeve të 25 Prillit. Vetëm drejtuesit e Partisë Socialiste kanë fuqinë që të sigurojnë në një dokument informacione nga institucione të ndryshme.
Numrat e celularëve nga E-Albania, pagat nga Tatimet, adresat nga Gjendja Civile apo targat e makinave nga DPRRTSH i bashkon vetëm partia-shtet.
Vetëm nga Partia Socialiste që administron prej vitit 2013 institucionet shtetërore mund të dalin brenda pak ditësh lista të tilla të dhënash nga institucione të ndryshme, pa asnjë lidhje me njëri-tjetrin.
Asnjë tatimor nuk mund të ketë nxjerrë listën e targave i vetën, asnjë punonjës i gjendjes civile nuk mund të nxjerrë numrat e celularëve nga E-Albania dhe asnjë IT nuk mund t’i gjejë pagat qindra mijëra punonjësve në Shqipëri.
Dalja e të dhënave për targat këtë të premte, provon pikërisht ekzistencën e sistemit të patronazhimit me të dhënat personale, që ideuan mendjet perverse të atyre që drejtojnë shtetin, si një nga armët kryesore me të cilën nisën fushatën në zgjedhjet e 25 Prillit.