Megjithëse Olta Xhaçka nuk është më ministre e Mbrojtjes, miku i saj i preferuar maqedonas, pronar i firmës i “EUROVIA Shpknj”, nuk ka ikur nga tepsia e tenderëve të ushtrisë, të cilët tani i firmos Niko Peleshi.
Ministria e Mbrojtjes, ka njoftuar në Buletinin e Prokurimeve Publike, se ka mbyllur procedurën e tenderit për ndërtim palestre në Regjimentin Operacional Special, me fituese këtë firmë e cila tashmë ka hapur dhe degë në Shqipëri.
Në këtë tender u futën edhe 20 kompani të tjera shqiptare, të cilat u skualifikuan për shkak të specifikimeve, që ishin bërë posaçërisht për mikun e Olta Xhaçkës, si dhe prej dekonspirimit të ofertave elektronike, me qëllim që maqedonasi të shpallej fitues.
Firma “EUROVIA Shpknj” u bë e njohur në muajin maj 2020, kur PD kallëzoi ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe këtë firmë, për klientelizëm dhe vjedhje fondesh në tenderin sekret, të pakove me ndihma ushqimore, që ushtria bleu më 26 mars 2020 për të prekurit me “Covid 19”.Një nga provat e atij tenderi sekret ndihmash, me vlerë 1.3 milionë Euro me TVSH, ishte fakti se firma “EUROVIA Shpknj”, kishte objekt aktivitetet kompjuterike, ndërsa 7 ditë para tenderit shtoi dhe objektin “Tregti ushqimesh me shumicë”, që tregoi se ishte njoftuar paraprakisht.
Tani që SPAK e ka lënë në heshtje, administratori maqedonas Emir Shefiti, është futur përsëri lehtësisht e me siguri, në lojën e tenderëve të ushtrisë shqiptare, si amanet që Xhaçka ia ka lënë Niko Peleshit, duke marrë 270 milionë lekë për ndërtim palestre.
Por është futur dhe në sektorë të tjerë fondesh publike, si në Bashkinë Kamëz me 1 dhjetor 2021, kur Rakip Suli i ka dhënë 133 milionë lekë për rehabilitim banesash të komuniteteve të varfëra, ndërsa në Ersekë ku Xhaçka është deputete, kryebashkiaku Erjon Isai i ka dhënë tender për rehabilitim ujësjellash në fshatra.
Informacionet që kemi, bëjnë me dije, se shefat e firmës “EUROVIA Shpknj”, janë pjesë e grupit mafioz “Call Center”, që në Shqipëri e kanë Olsi Rama dhe këshilltari i ministres Olta Xhaçka, por dhe kanë lidhje punësh të zeza me burrin biznesmen të ministres./Pamfleti