Vrasja në Kodër Kamëz, Can Karriçi u ekzekutua me katër plumba

Pa Kategori

Publikuar: 24/12/2021

Vrasja në Kodër Kamëz, Can Karriçi u ekzekutua me katër plumba

Ekzekutimi i 32-vjeçarit Can Kariçi është dokumentuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve në vendin e ngjarjes. Pas këqyrjes së tyre nga ana e grupit hetimor u evidentua se autorët kanë qenë të maskuar.

Janë të paktën 7 kamera sigurie që kanë xhiruar momentet e vrasjes së të riut, i cili doli nga lokali dhe hyri brenda automjetit të tij me targa gjermane. Në pamjet filmike të cilat janë në duar e grupit hetimor, shfaqen dy persona, njëri nën cilësinë e shoferit ndërsa tjetri të atentatorit.

Autorët dyshohet se janë informuar nga persona të tjerë për lëvizjet e objektivit të tyre. Agresorët, udhëtuan me makinën Audi, të cilën e dogjën rreth 2 kilometër nga vendi i vrasjes. Brenda makinës policia gjeti dhe armën tip kallashnikov me të cilën është kryer qitja në drejtim të 32-vjeçarit. Sipas burimeve të policisë, viktima Kariçi është qëlluar me breshëri plumbash dhe 4 prej tyre të cilat i mori në pjesën e sipërme të trupit, rezultuan fatale.

Edhe në makinën e viktimës u gjet një pistoletë tip Bereta me fishek në gojë, e cila është dërguar në laboratorin e policisë shkencore për të zbuluar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Grupi hetimor ka ndërtuar dhe dinamikën e ngjarjes, ku sipas tyre makina e atentatorëve ka lëvizur nga rruga “Nikoll Vatnikaj”, dhe pas kryerjes së atentatit është larguar drejt zonës së Institutit.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, policia ka marrë në pyetje disa persona mes tyre rrethin e ngushtë të viktimës, nën shoqërinë e të cilëve 32-vjeçari ka qenë para se të ekzekutohej. Janë pyetur tre persona, mes tyre edhe një vajzë.

Të tre janë pyetur nga hetuesit, kanë deklaruar se kanë parë duke ikur me shpejtësi mjetin Audi të autorëve. Sipas tyre, Kariçi ka qenë i qetë gjatë kohës në kafene dhe nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim.

Pista kryesore për vrasjen mbetet ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale. Kariçi ishte emër i njohur për autoritetet, i arrestuar disa herë për disa vepra penale.