Can Karriqi që u vra mbrëmë shok i Erigers Mihasit dhe Dumanit që u ekzekutuan në Astir. Kush po i vret anëtarët e grupit? Lidhjet me Vis Martinajn dhe eliminimet në seri

Pa Kategori

Publikuar: 24/12/2021

Can Karriqi që u vra mbrëmë shok i Erigers Mihasit dhe Dumanit që u ekzekutuan në Astir. Kush po i vret anëtarët e grupit? Lidhjet me Vis Martinajn dhe eliminimet në seri

Can Karriqi 35 vjeç, banues në lagjen nr.1 në Bathore, është gjetur mbrëmë i pajetë në vendin e quajtur kodër Kamzë, në Tiranë, brenda makinës.

Ndërsa policia është duke vijuar hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve,  viktima, i cili është qëlluar me 4 plumba, është shok i ngushtë me Erigers Mihasin dhe Armand Dumanin.

Këta dy të fundit u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në lagjen e Astirit, në vendin e quajtur Ozone.

Mësohet gjithashtu se Karriqi para se të gjendej i pajetë kishte pirë kafe pranë lokal ‘G’ i shoqëruar nga një vajzë. Më pas ka dalë prej andej dhe është gjetur pa shenja jete.

Vrasja e Erigers Mihasit dhe Armand Dumanit

Ekzekutimi mafioz i dy shokëve të ngushtë ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit 2021.

Vetë skema e vrasjes dhe saktësia për të qëlluar drejt shënjestrës i çon hetimet drejt pistës së vrasjes me dashje nga vrasës me pagesë.

Mësohet se automjeti tip Audi ku udhëtonin viktimat është qëlluar në ecje dhe më pas ka ndaluar në një pjesë të rrugës, dhe dy mjetet po udhëtonin nga pallati me shigjeta në drejtim të rrethrotullimit të ish sheshit shqiponja.

32-vjeçari Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Ai ka qenë një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit, Vis Martinaj, dhe kishte precedentë të mëparshëm penal. Ishte liruar nga burgu në vitin 2019, dhe ishte shpallur sërish në kërkim për një arsenal armësh që ishte zbuluar në zonën e Yrshekut.

Mihasi u arrestua për grabitjen dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, por u la sërish i lirë brenda muajsh.

Së fundi, Mihasi frekuentonte xhaminë, por nuk mundi t’i shpëtojë të kaluarës së tij të errët, ku duket se autorët kishin ende ‘hesape’ të palara.

32-vjeçari dhe miku i tij, Armand Dumani 26-vjeç, vdiqën në vend, brenda mjetit tip “Audi”, teksa po lëviznin nga zona e ish-doganës drejt Pallatit me Shigjeta, rreth orës 19:30.

Lidhjet dhe vrasjet

Erigers Mihasi ishte i njohur si miku i Ervis Martinajt. Ai kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.

Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.

Santiago Malko njihej si pjesë e grupit të Elvis Martinajt.

Vrasja e Santiago Malkos

Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMW X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.

Vrasja e Fabian Gaxhës

Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.

Vrasja e Bujar Likës

Në aksin rrugor Laç-Mamurras afër kryqëzimit të fshatit Gjormë një person qëlloi me armë zjarri. Si pasojë ndërroi jetë në vendngjarje Bujar Lika (Hasani) 37-vjeç, i cili dyshohet se ishte dhe shënjestra e këtij atentati. Pranë trupit të tij u gjet një armë zjarri. Bujar Lika ishte mik i ngushtë i Ervis Martinaj.