Mësuesi i dënuar për pedofili u punësua në Berat, Kushi i lë topin Gjykatës: Nuk i kishte hequr të drejtën për ushtrimin e profesionit

Pa Kategori

Publikuar: 16/12/2021

Mësuesi i dënuar për pedofili u punësua në Berat, Kushi i lë topin Gjykatës: Nuk i kishte hequr të drejtën për ushtrimin e profesionit

Një skandal u evidentua në një nga shkollat më të mira 9-vjeçare të qytetit të Beratit, në shkollën “22 Tetori”. Mësuesi i emëruar për lëndët e “Fizikës” dhe “Informatikës” 62-vjeçari Ëngjëll Bregu rezultonte i dënuar  për “pedolifi” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve në vitin 2003.

Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho  në seancën e sotme parlamentar i drejtoi ministres së Arsimit, Evis Kushi pyetje në lidhje me punësimin e këtij mësuesi.

Si ka qenë procedura për emërimin e tij?

Kushi: Ai ka filluar punë në vitin 1980 duke vazhduar pa shkëputje. Në vitin 2003 pas ngjarjes së ndodhur me nxënësit ky mësues është dënuar me 7 muaj heqje liri nga Gjykata. Por në vendimin e saj Gjykata nuk i ka hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit. Në vitin 2017 mësuesi ka aplikuar përsëri dhe është punësuar që nga viti 2018 me kontrata të përkohshme dhe së fundmi zyra arsimore Berat e ka emëruar mësuesin me kontratë të përkohshme. I përmenda këto fakte për të thënë që ai nuk është rikthyer sot, por ka qenë pjesë e sistemit arsimor që nga 2003.

Kushi sqaroi se mbi çfarë kriteresh ishte bërë rekrutimi dhe e mërimi i mësuesit Ëngjëll Bregu. Ajo i “la topin: Gjykatës duke thënë se nuk kishte vendim i cili i kishte hequr të drejtën për të ushtruar profesionin.

Kushi: Unë e besoj fort se persona të tillë nuk duhet të hyjnë asnjë minutë në ambientet e shkollës. Ai është larguar menjëherë dhe nisëm një hetim administrativ për të gjetur personat përgjegjës që kanë lejuar  punësimin e tij.