Policia e Durrësit ka goditur një rast të kultivimit të kanabisit me anë të llambave.
Në katin e dytë të një pallati është zbuluar një apartament i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Personi i cili kishte marrë me qira banesën dhe e kishte tjetërsuar për të ushtuar këtë veprimtari kriminale është shpallur në kërkim nga policia, pasi nuk është gjetur në banesë.
Blutë bëjnë me dije se në lagjen nr. 13, Durrës, nga kontrolli në banesën e marrë me qira nga shtetasi I. A., u konstatua se ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike ku u gjetën dhe u sekuestruan 2 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa e tharë, e bërë gati për shitje, 110 vazo në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.