Nuk themi, që politikanët të mos martohen, por të mos aktrojnë sikur janë rivalë e armiq të egër me bashkëshortët dhe familjarët e afërt, duke u hequr të tillë në ekrane ditën, e duke qëndruar bashkë në darka e në krevate.
Kjo e vërtetë, u pa më 11 dhjetor në kuvendin e familjes “non grata”, të cilin e drejtoi dhëndri i një zyrtari të lartë të “Rilindjes” dhe mik personal e familjar i kryeministrit Edi Rama.
Ndër pjesëmarrësit delegatë e militantë me nga 2-3 diploma e mastera dhe ish-ministra, ish-deputetë e ish-drejtorë, Sali Berisha kishte zgjedhur Belind Këlliçin për drejtimin e punimeve të kuvendit.
Mbase shumica e militantëve dhe delegatëve, ndoshta nuk e dinë se Belind Këllici është bashkëshort i Anna Shkrelit, vajzës së Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në 11 vite te bashkia e këto 8 vite në qeveri.
Nuk themi, që Belind Këllici është emër i përlyer apo me nivel mediokër, sepse ai ka kryer studimet universitare në Maryland-SHBA, ku është vlerësuar me certifikatën “Summa Cum Laude”, ka qenë dhe zyrtar i lartë turizmi në Ministrinë e Kulturës e në Bashkinë-Tiranë kur drejtoi Luzim Basha.
Por në rastin konkret, sikur nuk është bindëse, lufta e tij në media e parlament kundër qeverisë, PS-së e Edi Ramës, duke e quajtur bandë e korruptuar, droguar e kriminalizuar, kur vjehrri i tij Artan Shkreli, është një nga zyrtarët e lartë të këtij pushteti dhe mik personal e familjar i kryeministrit.
Psh., Belind Këlliçi dhe grupi i FRPD, ka bërë protesta kundër shkatërrimit të godinës së Teatrit, kundër stadiumit me kullë ku u bë kuvendi i familjes “Berisha”, ndërsa vjehrri i tij ka qenë ideator i shkatërrimit të tyre dhe mbrojtës i Ramës.
Ndërsa pas akuzave të rënda që bëjnë ditën, në darkë, në fundjava, në ngjarje familjare e pushime verore, dhëndri e vjehrri bëhen bashkë sepse janë të lidhur e kjo është logjike.
Mirëpo, nuk është bindëse lufta që bëjnë si gjoja armiq, kur siç thoshte Jovan Bregu, dhëndri e vjehrri kanë një shtëpi e një familje dhe nuk mund t’i “nxjerrin sytë” njeri-tjetrit.
Ndoshta, emërimi i Belind Këlliçit si drejtues punimesh i kuvendit anti-SHBA që bëri familja “non grata”, mund të ketë qenë djallëzi e Sali Berishës, për të thënë se në luftën e tij kundër drejtësisë e qeverisë amerikane, janë bashkuar dhe deputetë, familjarë të drejtuesve të partisë e pushtetit të Edi Ramës./Pamfleti