Kur Edi Rama tregoi për herë të parë se kë do të preferonte fitues nga sherri mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në emisionin Të Paekspozuarit, ai e kondicionoi përgjigjen në varësi të interesit personal apo në varësi të interesit për vendin.
Nëse zhvishej nga interesi për vendin, la të kuptohej se do të zgjidhte Sali Berishën, sepse në këtë mënyrë sipas tij PD “nuk do të shihte dritë dielli me sy”.
“Nëse do pragmatizëm, cinizëm pragmatik…? (Do ishe me Saliun?) Patjetër. Nëse do isha i zhveshur nga interesi për vendin, nga interesi që gjërat në këtë vend të shkojnë mirë, se nga pikëpamja personale më falni për mungesën e modestisë, qoftë me njërin, qoftë me tjetri nuk është çështje e rrezikshmërisë për kundërshtar… Por nga pikëpamja e vendit, nëse do isha i zhveshur nga këto, sa më parë ai (Berisha) atje përsëri atje ku ishte, që kjo parti të mos shikojë dritë dielli me sy” tha Rama, ndërsa përshkruante se sa e rëndë dhe se çfarë fatkeqësie ishte për Berishën shpallja non grata nga SHBA.
Preferencën e ndryshoi gjatë punimeve të Kuvendit të PD. Me gjasë kryetari i Partisë Socialiste i ndoqi hap pas hapi procedurat që çuan në shkarkimin e Bashës dhe reagim të parë pati aforizmën e një filozof rumun mbi shkaqet dhe destinacionet e dëshpërimit.
“Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet – morale, estetike, fetare, sociale e me radhë – pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë? Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s’ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë” shkruajti Rama.
Shigjetimi shkonte qartazi për nismen e Berishës, të cilën Rama e sulmoi si produkt të dëshpërimit dhe të absurdit, duke lënë të kuptohet se ishte kundër një shfaqjeje të tillë.
Dy qëndrime të kundërta në brenda pak ditësh krijojnë vështirësi për të kuptuar se anën e kujt mban Rama në përplasjen brenda opozitës. Sikur të mos ishte për një lëvizje që ndodhi në orët e fundit të Kuvendit të PD-së.
Kur Kuvendi po i mbyllte punimet e tij, në orët e pasdites, në rrugët e Tiranës, fare pranë selisë së Partisë Demokratike ra në sy një varg me blinda të policisë që rrethuan selinë blu. Pavarësisht se drejtuesit e Kuvendit të Partisë Demokratike përsërisnin në media se nuk do të shkonin ta finalizonin marrjen e selisë, blindat e mbushur me efektivë policie bënin xhiro në mes të Tiranës, duke dhuruar një shfaqje për qindra qytetarë në atë orë të ditës.
Lëvizja e mjeteve të policisë e vuri Bashën menjëherë në kornizat e opozitarit, që merret në mbrojtje nga qeveria. I tillë u konsiderua ai menjëherë nga Kuvendi i PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha e quajti Bashën një kufomë politike dhe i bëri thirrje Ramës të tërheqë mjetet e policisë që i ka nxjerrë në rrugë për të mbrojtur pengun e tij.
Dalja e blindave të policisë në një moment kur konflikti në PD është në kulmin e tij, vetëm sa e shtoi ndasitë mes demokratëve.
Mbetet e pasqaruar se përse policia e shtetit ndërmoi një aksion të tillë për mbrojtjen e selisë së PD-së, por kjo tregon më së miri se ajo që i intereson qeverisë nuk është as fitorja e njërës palë, as e tjetrës. Rëndësi ka që flakët e sherrit të mos shuhen dhe sherri të qëndrojë i ndezur sa më gjatë, sepse sa më shumë të vazhdojë kriza në PD, aq më qetë qeveris Rama.