Basha hakmerret, shkarkon nga pozicionet drejtuese grupin ‘berishian’! Këshilli Kombëtar voton për largimin Palokës, 5 anëtarëve të Kryesisë e 4 sekretarëve! Berisha nuk preket

Pa Kategori

Publikuar: 12/12/2021

Basha hakmerret, shkarkon nga pozicionet drejtuese grupin ‘berishian’! Këshilli Kombëtar voton për largimin Palokës, 5 anëtarëve të Kryesisë e 4 sekretarëve! Berisha nuk preket

Vetëm një ditë pasi Kuvendi Kombëtar i Sali Berishës shkarkoi Lulzim Bashën dhe caktoi një referendum ‘një anëtar, një votë’ për ta ratifikuar këtë vendim, nuk ka vonuar edhe ‘hakmarrja’ e kreut të PD-së, ndaj kryesisë ‘Berishiane’. Sot Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, 251 anëtarët e të cilit votuan për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të grupit të Berishës.

Më argumentin se kanë cenuar rëndë interesin elektoral dhe politik të Partisë Demokratike, shkarkimi ka nisur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarëve të kryesisë, Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimirit, Albana Vokshit, Oerd Bylykbashit si dhe sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia, ku pritet dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.

Për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të anëtarëve të kryesisë, sekretarëve si dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar kanë votuar 257 anëtarë, prej tyre 251 kanë votuar pro shkarkimit, 4 kundër si dhe 2 vota janë shpallur të pavlefshme. 

Por këto shkarkime, nuk e prekin Sali Berishën, i cili është organizatori kryesor i kësaj lëvizje, të cilën Basha e ka cilësuar ‘anti-amerikane’. Kjo pasi kryesia e PD-së, propozoi vetëm për të shkarkuar nga pozicionet drejtuese, kryetarin e këshillit, anëtarët e kryesisë dhe sekretarët.

Sipas Bashës anëtarët kryesisë jo vetëm që nuk mbështetën 18 dhjetorin, por dolën hapur krah Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA. Ndërkohë anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë miratuar rezolutën e posaçme të propozuar nga kryetari Lulzim Basha, e cila ‘mandaton’ Lulzim Bashën që të mbrojë me forcë vlerat e Partisë Demokratike. Në rezolutë theksohet se Kuvendi i Mbledhur nga Berisha dje është nul, ndërsa shtohet se ai ka vepruar si Enver Hoxha, pasi ka themeluar një organizatë anti-amerikane.

Kjo mbledhje është konsideruar nul dhe e paligjshme nga ‘Komisioni i Rithemelimit’, një institucion i krijuar nga Sali Berisha dje në Kuvendin e tij Kombëtar. Sipas mbështetësve të Berishës Kuvendi Kombëtar dje ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së re!

Këto vendime vijnë si një përgjigje për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ku nga 4491 delegatë që votuan, 4446 ishin pro shkarkimit të tij, kundër 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Gjithashtu, në këtë Kuvend u ndryshua statuti i PD-së, si edhe u miratua edhe ngritja e një Komisioni të quajtur ‘Komisioni i Rithemelimit të PD’ me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri, megjithatë këto vendime Basha tha dje se nuk do i njohë.

Prej 9 shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar, në selinë ka nisur një luftë mes njëri-tjetrit, duke bërë një parti e cila është më e ndarë se kurrë në historinë 31-vjeçare të themelimit të saj. Ironike në të gjithë këtë histori, është se përçarja arriti kulmin në ditën e themelimit të saj, në 11 dhjetor.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe u shkarkuan

Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)

Anëtarët e kryesisë:

Flamur Noka

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

Albana Vokshi

Oerd Bylybashi

Sekretarët

Ervin Minarolli

Ivi Kaso

Belind Kelliçi

Ledina Mandia