Prapaskena

Sot Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha, pritet votimi i një mocioni mosbesimi për shkarkimin e Bashës! Kryedemokrati ‘sfidon’, festë në seli për themelimin e PD

Publikuar: 11/12/2021

Nën moton ‘Për një Parti Demokratike, më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar” Sali Berisha mbledh sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ditë e cila sipas tij do të shënojë rithemelimin e PD.

Mikpritja e demokratëve do të bëhet në stadiumin Air Albania, ku po përgatitet ngritja e një podiumi, në të cilin do të mbajnë njëri pas tjetrit fjalën për rreth 5 orë ish lideri i PD dhe ish themelues të saj, delegatë dhe ata që u bënë pjesë e grupit që hartoi draft-statutin e ri.

Delegatët do kenë zonën e tyre të ndarë, por pjesa tjetër e stadiumit ‘Air Albania’ do jetë e hapur për gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.

Punimet do të nisin në orën 10:00, ndërsa që në nisje do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e Berishës.

Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht. Do të jenë grupe të rinjsh që do të checkojnë fillimisht kartat elektronikisht.

Mbi kartë janë të shënuara emër, atësi, mbiemri dhe pozicioni politik në parti ose degë i delegatëve, por edhe një kod sigurie që do ti  mundësojë Komisionit të Verifikimit të mandateve që do të ngrihet po nesër në kuvend për verifikimin e tyre lehtësisht.

Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi.

Dy më të rëndësishmet, miratimi i Nenit ‘Basha’ që përcakton se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ose kalon në votëbesim nëse humbet ato lokale, dhe pëfshirja e anëtarësisë në marrjen e vendimeve nëpërmjet referendumit.

Nesër pritet që nëse ka kuorum, të votohet një mocion mosbesimi për Bashën, pra për ta shkarkuar.

Organizatorët pohuan për Report Tv se nëse miratohet shkarkimi, do te ngrihet një komision që do të marrë drejtimin e partisë.

E në një kohë kur Berisha bëhet gati të ‘rimarrë në duar’ partinë, kyedemokrati sfidon Basha duke organizuar një festë në selinë blu për themelimin e PD.

Në selinë e PD do të vendoset edhe një pllakatë prej xhami në të cilën do të jenë firmat e themeluesve të partisë në 11 dhjetor 1990. Nuk dihen nëse pjesë e këtyre firmave do të jetë edhe ajo e Sali Berishës, si një nga personat kyç të formimit të kësaj force politike.

E teksa Berisha premton rithemelim të PD, Shqiptarja.com ka publikuar njëra pas tjetrës prova se aksioni i tij në fakt, është karakterizuar nga një sagë me gënjeshtra të ripërsëritura dhe sidomos nga misteri i burinit të parave për mbulimin e 27 foltoreve, eskortës, truprojave, karburantin, fushatës publicitare, avokatit francez etj.

‘Foltores’ i janë bashkuar kryesisht ish-ministra dhe ish-drejtorë të qeverisë Berisha me dosje dhe rekorde abuzimesh, ish-klientë dhe përfitues të pushtetit të tij, personazhe që u ndalohet hyrja në SHBA, biznesmenë kontroversë dhe një rreth nostalgjikësh pensionistë.

Aksioni politik i Berishës kundër SHBA, ‘birit të tij’ politik dhe reformës në drejtësi është karakterizuar gjithashtu nga ekspozimi i luksit, përmes makinave luksoze që kanë shoqëruar Sali Berishën.

Deputeti Flamur Noka, një nga mbështetësit kryesor të ‘Foltores’ lëviz me një makinë tip ‘BMË’ me vlerë 40 mijë euro, ndonëse ka përfituar një kredi të butë nga shteti si i pastrehë.

Deputetja Albana Vokshi, e rreshtuar në krah të ‘Foltores’, lëviz me një makinë tip ‘Land Rover’ me vlerë të deklaruar 47 mijë euro.

Vetë Sali Berisha lëviz me një Benz luksoz, S 500, prodhim i vitit 2012 me të gjitha opsionet, benzinë, me targë AA932HV, me vlerë 111 milionë lekë.

Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga Kuvendi i Berishës, ky i fundit i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, mbetet për t’u parë nëse do të kemi rithemelim të partisë më madhe opozitare në vend, apo përçarje ‘historike’ të saj.



Më të lexuarat