Ç’do të ndodhë pasi delegatët e kongresit të 11 dhjetorit të shpërndahen pas mbledhjes së tyre në stadiumin Arena Kombëtare? Ky është makthi që po mundon prej ditësh të djathtën opozitare, së paku që kur u bë e ditur që Sali Berisha ka një shumicë dërrmuese. A do të shkojnë idhtarët e Berishës të marrin në dorëzim selinë? A do të ketë përplasje mes të dy kampeve nëse ndjekësit e Bashës do të rezistojnë për të dorëzuar selinë edhe vulën? Këto pyetje bëhen edhe me aktuale pas deklaratës së Berishës në “Opinion” se “Lulzim Basha pushon se qeni kryetar pas kuvendit”. Po gjatë së njëjtës intervistë Sali Berisha ka treguar se pas kuvendit, do të dali një PD e rithemeluar. “Të gjitha vendimet e marra prej Bashës së fundi do të anulohen do të votohet për krijimin e një komisioni të përkohshëm që do të drejtojë partinë deri në rithemelimin e saj” tha ai.
Po a do të shkojë ky komision tek selia e PD-së për ta marrë atë në dorëzim, dhe për të filluar punën për një referendum që do votojë ndryshimet statuore? Paralel me Berishën, një nga mbështetësite tij që po merret me ndryshimet e reja statuore, Arben Ristani deklaroi ne “Open”: “Ky komision do marri kompetencat për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja. Komisioni do të përdorë asetet e Partisë Demokratike, që do t’ia vërë në dispozicion kuvendi. A do t’i marrë në atë moment apo të nesërmen? Nuk e dimë” u shpreh ai.