Prapaskena

SHBA shpall Ilir Metën ‘non grata’, Gabriel Escobar e përjashton Presidentin nga axhenda e takimeve, goditet Foltorja

Publikuar: 09/12/2021

Shtetet e Bashkuara të Amerikës defacto kanë shpallur “non grata” edhe presidentin Ilir Meta, ndonëse jo zyrtarisht si Sali Berishën. Vizita e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Tiranë, konfirmon edhe një herë se Perëndimi i ka vendosur vizën Ilir Metës si një nga udhëheqësit e korrupsionit, krimit dhe shantazhit në Shqipëri, pengues i zhvillimeve demokratike dhe faktor destabiliteti.

Ilir Meta, i cili si për ironi të fatit është President, është përjashtuar nga axhenda e takimeve me zyrtarin e lartë amerikan gjatë vizitës 2-ditore në Tiranë. Izolimi dhe shmangia e Metës nga SHBA ka nisur që në vitin 2018, kur Presidenti u bashkua me Sali Berishën në një front kundër reformës në Drejtësi, investimit më të madh të SHBA në Shqipëri.

Ndarja përfundimtare erdhi kur Ilir Meta, natën e 23 prillit 2021, humbi kontrollin dhe u shpalli luftë SHBA, i konsideroi amerikanët vrasës dhe sulmoi me një gjuhë ordinere ambasadoren e tyre në Tiranë, Yuri Kim.

Për këtë lajthitje, Meta u shkarkua nga Kuvendi i Shqipërisë disa javë më pas. Që nga viti 2018 dhe deri më sot, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë çdo marrëdhënie me Ilir Metën. Por, përjashtimi i Metës nga axhenda e takimeve të Gabriel Escobar është një mesazh i qartë për fatin e Presidentit në janar, ku Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për çështjen e shkarkimit të tij.

Megjithatë, duket se vizita e Gabriel Escobar në Tiranë është më shumë një mesazh për Sali Berishën, i cili ka nisur një lëvizje politike kundër SHBA, pas shpalljes ‘non grata’ si i korruptuar, shantazhues dhe minues i demokracisë.

Gabriel Escobar zbarkoi në Tiranë dy ditë pasi Sali Berisha ka caktuar organizimin e puçit për të marrë me forcë selinë e Partisë Demokratike, duke e akuzuar Lulzim Bashën si të shitur tek amerikanët.

Zyrtari i lartë amerikan i ka dhënë sot Lulzim Bashës mbështetjen e plotë të SHBA-ve përballë agresionit të dyshes Berisha-Meta. Në rrethet politike qarkullojnë disa skenarë për fatin e Berishës dhe Foltores pas datës 11 dhjetor, ku mbizotëron skenari i një urdhër-arresti nga SPAK./Pamfleti



Më të lexuarat