Mëngjesin e sotëm në ambientet e dhomës së një hoteli në Durrës, ka mbetur i plagosur një ri. Në dhomën e hotelit kanë qenë të pranishëm 3 djem dhe 1 vajzë.
Mësohet se të rinjtë kanë qenë nën efektin e drogës dhe të alkolit. Rreth mesnatës Markeljan Beqiri 16-vjeç ka qëlluar me pistoletë Arni Sulejmanin, 20-vjeçar, duke e plagosur në krah te pjesa e brrylit.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe e ndihmuar nga kamerat ka mundur të zbardhë një pjesë të mirë të ngjarjes. Ka qenë recepsionisti ai që është dorëzuar dhe ka rrëfyer për Anxhelën e cila është gjetur në një dhomë hoteli. Ndërkohë i plagosuri është dërguar në spital ku ka marrë ndihmë mjekësore si dhe është intervistuar për ngjarjen. Policia ka gjetur dhe armën e krimit. Autori i ngjarjes Markelian Beqiri dhe Shehu janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim. Kurse Anxhela dhe recepsionisti janë arrestuar.
“Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A. B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit; E. H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen”, ka njoftuar policia.